Lidhje

Takimi 6-palësh i nivelit të lartë mbi Iranin, që ishte në plan të zhvillohej të premten, është shtyrë


Takimi 6-palësh i nivelit të lartë që ishte në plan të zhvillohej të premten, për çështjen bërthamore të Iranit, është shtyrë.

Diplomatët nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kishin në plan të merrnin në shqyrtim stimujt që do t’i jepeshin Iranit si shpërblim, në se ky vend do t’i jepte fund veprimtarisë për pasurimin e uraniumit dhe në rast të kundërt, ndëshkimeve ndaj tij. Ministria e Jashtme britanike thotë se takimi do të mbahet gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Por sot, Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad vuri në lojë ofertën për ndërtimin e një reaktori bërthamor me ujë të lehtë, në se Teherani i jep fund pasurimit të uraniumit.

Zoti Ahmadinexhad e krahasoi ofertën me një përpjekje për të gënjyer një fëmijë me arra dhe me çokollata, në vend të floririt. Ai tha gjithashtu se Irani mund të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, në se Perëndimi vazhdon të kërkojë t’i jepet fund asaj për të cilën Irani këmbëngul se është një ambicie bërthamore me synime paqësore.

Fuqitë perëndimore dyshojnë që Irani po pasuron uranium për të prodhuar armë bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon.

XS
SM
MD
LG