Lidhje

Shqipëri: Mbetet pezull plotësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve


Në Shqipëri Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpjegoi të martën se propozimet e sjella nga dy partitë më të mëdha për anëtarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që duhet të përcaktohet nga ky institucion, nuk kanë qenë konform procedurave. Nënkryetari i KLD-së, Ilir Panda tha se ky ka qenë dhe i shkaku i voneses. Zoti Panda u bëri thirrje dy grupeve kryesore parlamentare që të respektojnë procedurat e duhura për paraqitjen e propozimeve të tyre.

Vonesave në nisjen e reformës zgjedhore, tani i janë shtuar edhe problemet me anëtarët e rinj të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të cilit i mungojnë tre anëtarë. Ata duhet të zgjidhen nga Presidenti, Parlamenti dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Afati ka kaluar tashmë që prej tre ditësh.

Nënkryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë, Ilir Panda tha të martën se partitë politike nuk kanë respektuar procedurat për paraqitjen e kandidatëve, duke saktësuar se janë socialistët të cilët i janë referuar në mënyrë të gabuar Kodit Zgjedhor dhe kanë prezantuar vetëm 2 emra, nga katër që duhet të propozojnë fillimisht. Sipas tij kanë qenë këto arsyet që kanë penguar Këshillin e Lartë të Drejtësisë të veprojë me zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke cuar kështu dhe në shkeljen e afateve ligjore të cilat kanë skaduar që prej së premtes së kaluar. Duke shpjeguar rrugën që duhet të ndjekin, zoti Panda i është drejtuar grupeve parlamentare te partisë demokraike dhe asaj socialiste:

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjen rastin edhe një herë që t’u kërkojë grupeve më të mëdha parlamentare t’i propozojnë njëri tjetrit nga katër kanddatura me profesion jurist. Secili prej grupeve parlamentare të përzgjedhë dy nga katër kandidaturat e grupit tjetër dhe duy kandidaturat e mbetura, secili grup t’i depozitojë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që ky këshill të ketë mundësi të vijojë me plotësimin e procedurës ligjore”.

Që nga momenti që paraqiten propozimet, këshilli i lartë i Drejtësisë ka afat 48 orë për të marrë vendim.

Mbi anëtarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të dalë ngë Këshili i Lartë i Drejtësisë ka dhe një përplasje mes socialistëve dhe demokratëve.

Të dyja palët pretendojnë se zgjedhja u përket atyre. Ndërkohë e majta, ka probleme brenda saj dhe për anëtarin që duhet të zgjidhet nga parlamenti, i cili duhet t’i përkas partive të vogla të opozitës. Për këtë ka tashmë një konflikt mes Lëvizjes socialiste për Integrim dhe Socialdemokratëve. Nga ana tjetër edhe Presidenti Alfred Moisiu është në pritje të konsultimeve me partitë për zgjedhjen e anëtarit të tretë.

Një ditë më parë kryetari aktual i Komisionit Qendror të zgjedhjeve Klement Zguri, paralajmëroi se vonesat në zgjedhjen e anëtarëve dhe në reformën zgjedhore, do të ndikojnë në cilësinë e zgjedhjeve. Ai bëri thirrje që partitë politike të nisin menjehër punën për reformën dhe të shmangin politizimin e çështjeve që janë me karakter thjesht teknik.

XS
SM
MD
LG