Marrëveshja e Paqes e arritur në Dejton në vitin 1995, i dha fund luftës në ish-republikën jugosllave të Bosnjës, por në të njëjtën kohë krijoi një qeveri jofunksionale e cila është thellësisht e ndarë në tri njësi administrative etnike që shpesh janë në kontradikta me njëra tjetrën, myslimanët, kroatët dhe serbët. Në një përpjekje për t’u dhënë fund trazirave politike, udhëheqësit etnikë të Bosnjës për rreth 12 muaj i hynë punës së vështirë të reformës kushtetuese, e cila muajin e kaluar nuk u miratua për një diferencë të vogël votash.
Në fund të prillit, parlamenti i Bosnjës dështoi vetëm me dy vota për të miratuar propozimet për reformë. Disa kroatë dhe myslimanë të Bosnjës votuan kundër amendamenteve kushtetuese dhe ligjore, të cilat ishin mbështetur më parë nga 7 parti myslimane, serbe dhe kroate. Këto reforma kishin për qëllim të forconin qeverinë e dobët të Bosnjës dhe të zëvendësonin sistemin e presidencës kolegjiale tre anëtarëshe me një president të vetëm.
Donald Heis, diplomat i cili shërbeu si zëvendës i përfaqësuesit të lartë të OKB-së në Sarajevë, punoi disa muaj për të n dihmuar negociatat mbi reformën. Ai shpreh optimizëm se në fund paketa e reformave do të miratohet. “Mendoj, tha zoti Hies, se ky është procesi i cili do të miratojë dokumentin për formimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe kjo do të ndodhë. Do të ishte mirë që ky hap të bëhej sa më shpejt për të lehtësuar plotësimin e dëshirave të anëtarësimit në institucionet euro-atlantike dhe të mirëqënies së qytetarëve.”
Bosnja përballet në tetor me zgjedhjet parlamentare dhe disa vëzhgues thonë se është e rëndësishme të ndërmerren veprime nga parlamenti i tanishëm për miratimin e paketës së reformave para zgjedhjeve. Myslimani Sulejman Tihiç është anëtar i presidencës së Bosnjës. Pas takimit me sekretaren amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs dhe nën-presidentin amerikan, Dik Çeni, ai u shpreh se ndihet optimist se reformat kushtetuese do të miratohen. “Kur vizitova Shtetet e Bashkuara, tha zoti Tihiç, shfrytëzova mundësinë për të kërkuar ndihmë për nxitjen e miratimit të paketës së reformave. Kjo do të ishte edhe në interesin e vendit dhe vetë qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës. Ne ishim shumë pranë miratimit dhe nevojitet ndihmë deri nga fundi i muajit,” thotë zoti Tihiç.
Bob Hend është këshilltar pranë komisionit të Kongresit për sigurimin dhe bashkëpunimin në Evropë. Ai ka qëndruar për një kohë të gjatë në Sarajevë. Ndërkohë që pranon se dëshira e tij ishte që reforma të ishte mbështetur më gjerësisht, ai pohon se boshnjakët janë një hap më pranë krijimit të shtetit të Bosnjës. Zoti Hend thotë se është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi, sepse fushata e zgjedhjeve parlamentare mund ta zhvendosë vëmendjen tek probleme të tjera. “Ndoshta ky dështim do të forcojë përpjekjet për të mënjanuar mosmarrëveshjet etnike, duke u hapur rrugën reformave, thotë zoti Hend.”
Ndërkohë që përpiqet për reformën kushteuse, qeveria boshnjake po punon edhe për të krijuar një ushtri dhe poloci të vetme kombëtare. Sipas udhëheqësve të Bosnjës, këto hapa do të ndihmojnë për të arritur anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Pa këto arritje, përparimi i Bosnjës mund të pengohet. //ad//