Lidhje

Referendumi për pavaresinë e Malit të Zi


Qytetarët e Malit të Zi, territorit malor dhe me popullsi të vogël të ish Jugosllavisë, do të votojnë të dielën në një referendum lidhur me shkëputjen e lidhjeve të mbetura me Serbinë. Kampi pro-pavarësisë ka besim se do të fitojë.

Referendumi do të vendosë nëse shteti Serbi-Mal i Zi do të vazhdojë të ekzistojë. Kjo federatë pa një qeveri të fortë qendrore, e cila zëvendësoi Jugosllavinë e cunguar, u krijua tre vjet më parë nën trysninë e fortë të Bashkimit Evropian, i cili në atë kohë ishte kundër dëshirës së qeverisë malazeze për t’u shkëputur nga Serbia.

Meqenëse si Serbia ashtu edhe Mali i Zi dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, Brukseli është angazhuar thellë në çështjet që lidhen me referendumin e e 21 majit. Sipas udhëzimeve të dhëna prej tij, pavarësia do të njihet vetëm në rast se ajo mbështetet nga 55 përqind e votuesve.

Srdjan Darmanovic, drejtor i Qendrës Malazeze për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, thotë se anketat tregojnë qartazi se pavarësia do të fitojë. "Mendoj se do të kemi një rezultat mjaft të qartë, pra pavarësia do të marrë mbi 55 përqind. Të gjitha anketat e kryera këto tregojnë se Blloku për Malin e Zi të Pavarur mund të fitojë rreth 55 përqind të votave", thotë analisti.

Mali i Zi ishte shtet i pavarur në shekullin e 19. Të 650 mijë banorët e tij janë krenarë për identitetin e tyre të pavarur megjithëse gjuha dhe feja e tyre janë si ato të serbëve. Serbia ka premtuar se do të respektojë dëshirën e popullit malazez.

Lisa McClain është drejtore për Malin e Zi në Institutin Demokratik Kombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara, detyrë e të cilit është të përhapë demokracinë e stilit perëndimor. Ajo thotë se si fushata pro pavarësisë ashtu edhe ajo kundër saj kanë qenë të organizuara mirë. Sipas saj, rezultati mund të varet nga votat e malazezëve që jetojnë jashtë vendit. "Duhet kuptuar se ekzistojnë shumë të panjohura, sidomos çështja e kthimit të njerëzve që jetojnë jashtë, pra, sa njerëz do të kthehen dhe si do të votojnë ata. Kjo nuk përfshihet në anketat e kryera deri tani."

Mendohet se shumë nga të mbi 200 mijë malazezët që jetojnë në Serbi do të votojnë për ruajtjen e lidhjeve me Serbinë. Shqetësim i veçantë për vëzhguesit është se çdo të ndodhë nëse rezultati del i paqartë, pra nëse për pavarësinë voton më shumë se gjysma por më pak se 55 përqind që është niveli i kërkuar.

Christoph Bender, ekspert i Nismës së Stabilitetit Evropian në Vjenë thotë se qendrueshmëria e Ballkanit do të përfitonte nëse rezultati i referendumit do të ishte një votë e qartë për pavarësinë. Bender thotë gjithashtu se bashkimi i tanishëm me Serbinë është jofunksional: "Statusi i tanishëm është një kontroll fare i vogël nga qendra, një union i cili nuk mund të shërbejë si zgjidhje afatgjatë. Një shtet i tillë nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian."

Srdjan Darmanovic është dakord me idenë se një fitore e qartë për pavarësinë do të ishte rezultati më i lehtë që nuk do ta komplikonte situatën. "Gjendja do të komplikohej më tepër nëse qendrojmë në një zonë të paqartë, pra nëse ligjërisht Mali i Zi nuk do të ishte i pavarur por politikisht shumica e popullatës do ta mohonin ekzistencën e unionit me Serbinë. Nëse rezultati është midis 50 dhe 55 përqind, kjo do të çonte në bisedime të gjata midis Malit të Zi, Serbisë dhe Bashkimit Evropian", thotë Darmanovic.

Kryeministri Milo Djukanovic, i cili prej kohësh është në favor të pavarësisë, pritet të japë dorëheqjen nëse pala e tij humbet në referendum. //rd//

XS
SM
MD
LG