Lidhje

Tirana reagon pas komenteve të Presidentit Bush mbi demokracinë shqiptare


Qeveria shqiptare pohoi të mërkurën se është mjaft e inkurajuar në thellimin e reformave për shtet ligjor nga vlerësimet që Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, ka dhënë të martën për marrëdhëniet shqiptaro - amerikane dhe ecurinë demokratike të Shqipërisë, gjatë paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit të ri të Tiranës në Uashington, Aleksandër Sallabanda.

Kryeministri Sali Berisha tha në fillim të mbledhjes së qeverisë, se këto vlerësime janë një nxitje e madhe për Shqipërinë.

"Vendosja e shtetit ligjor dhe pjesëmarrja e të gjithë shqiptarëve në vendosjen e shtetit ligjor në kuadrin e institucioneve dhe sistemit legal të Shqipërisë është një ftesë, është një apel që vjen nga një mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar. Qeveria është e vendosur të bëjë cdo përpjekje për rivendosjen e shtetit ligjor, për luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit si kushtet më vendimtare për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe të ecur të sigurtë drejt institucioneve euro - atlantike" - tha zoti Berisha.

Ambasadori i ri i Shqipërisë në SHBA, Aleksandër Sallabanda, është një mjek dhe intelektual i njohur, drejtues shumëvjecar i institucione shëndetësore të vendit. Po ashtu, ai dha ndihmesë në veprimtaritë politike të ish-opozitës së djathtë, si edhe në grupet e ekspertëve që hartuan strategjitë reformuese të maxhorancës së re.

Emërimi i zotit Sallabanda ambasador i Shqipërisë në SHBA erdhi shumë muaj pas largimit të ish-ambasadorit Fatos Tarifa, si edhe pas mosmiratimit nga Presidenti Alfred Moisiu të kandidaturës së zonjës Edit Harxhi për atë post, aktualisht zëvendës - ministre e punëve të jashtme.

Marrëdhëniet shqiptaro - amerikane vlerësohen si të shkëlqyera nga zyrtarët më të lartë të Uashingtonit dhe Tiranës. Të dy palët po punojnë aktualisht që edhe bashkëpunimi ekonomik të ngrihet gradualisht në nivelin e lartë të marrëdhënieve politike dhe ushtarake.

XS
SM
MD
LG