Lidhje

Kandidati i Presidentit Bush për postin e Drejtorit të CIA-s mbron programin e përgjimit


Në diskutim është vetë programi i Gjeneralit Hajden, kur ai ishte Drejtor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar. Programi ka për qëllim përgjimin e telefonatave mes njerëzve që ndodhen në Shtetet e Bashkuara dhe personave të dyshuar si terrositë nëpër botë.

Gjeneral Hajden u përpoq t’u përgjigjej shqetësimeve të disa ligjvënësve lidhur me ligjishmërinë e këtij programi, që shmang një gjykatë të posaçme federale, e cila u krijua për të miratuar ose jo përgjimin e bisedave brenda vendit.

Në seancën e hapur për publikun të debatit para Komisonit të Senatit për Zbulimin, gjeneral Hajden tha se veprimet në kuadrin e programit ndiqen me kujdes: “Ato kanë si qëllim veprimtarinë e al-Qaidës dhe mbështeten në parimin e mundësisë dhe janë të dokumentuara. Ka udhëzime të sakta për këtë progam për të vënë në shënjestër personat që kanë lidhje me armikun.”

Gjeneral Hajden tha se programi i përgjimit është një mjet i domosdoshëm në luftën kundër terrorit.

Kryetari i Komisionit të Zbulimit, Senatori Republikan, Pat Roberts nga Kansasi u shpreh: “Mund të them pa hezituar se programi i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar është i ligjshëm dhe pa të populli amerikan do të ishte më pak i sigurt”.

Senatori Karl Levin, demokrat nga Miçigani i bëri thirrje gjeneralit Hajden, që, nëse konfirmohet, të rivendosë “pavarësinë analitike” të CIA-s.

Senatori Levin është ndër një numër demokratësh, të cilët kanë argumentuar se, para ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak, të dhënat e zbulimit u manipuluan për të mbështetur dëshirën e administratës për të rrëzuar nga pushteti Sadam Huseinin. “Drejtori i ri duhet t’i japë kësaj anijeje drejtimin e duhur, duhet ta kthejë CIA-n në pozitën e saj me rëndësi kritike. Për t’ia arritur kësaj, drejtori i ri duhet të ketë si përparësi të sigurohet se të dhënat që i dërgohen Presidentit dhe Kongresit janë të freskëta, objektive dhe të pavarura nga ngjyrimet politike”.

Zoti Hajden pohoi se të dhënat e zbulimit kanë pasur të meta para luftës, dhe shtoi se agjencitë e zbulimit kanë nxjerrë mësime nga gabimet e bëra. Ai u zotua t’i ofrojë administratës dhe ligjvënësve analiza pa ngjyrime politike. “Duhet të tregohemi transparentë me informacionin që marrim. Ato që i konsiderojmë si të vërteta dhe të pohojmë se ka gjëra që nuk i dimë”.

Zoti Hajden iu përgjigj pyetjeve për besueshmërinë e të dhënave se Irani mund të ketë pas disa vjetësh aftësinë për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë: “Do të thoja që ky parashikim u paraqit me një nivel të mesëm deri të lartë besimi”.

Zoti Hajden, gjeneral me 4 yje, është aktualisht zëvendës-drejtor i shërbimit kombëtar të zbulimit. Nëse konfirmohet kandidatura e tij, ai do të zëvendësojë Porter Goss, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar, pas një periudhe një vit e gjysmë në post, gjatë së cilës shumë zyrtarë zbulimi u larguan nga CIA. //az//

XS
SM
MD
LG