Lidhje

Shtetet e Bashkuara: latinoamerikanët mund të dalin në skenë si lëvizje e fuqishme politike


Kohët e fundit, tubime masive në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë elektrizuar komunitetin latinoamerikan, duke nxjerrë në pah mundësinë e daljes në skenë të një lëvizjeje të fuqishme politike nga grupi më i madh pakicë në Shtetet e Bashkuara.

“Si, se puede - Po, është e mundshme” është bërë parrullë për qindra-mijëra latinove në Shtetet e Bashkuara, të cilët kohët e fundit kanë demonstruar në favor të reformës së sistemit të imigracionit. Tubimet morën shkas nga një projekt-ligj i Dhomës së Përfaqësuesve, në bazë të të cilit, qendrimi në Amerikë pa dokumenta do të përbënte vepër penale. Protestat i kanë elektrizuar hispanikët dhe mund të shndërrohen në një lëvizje të fuqishme politike.

“Nesër ne do të votojmë” – Ky është mesazh i qartë për politikanët në vite zgjedhjesh. Mickey Ibarra drejton një firmë marrëdhëniesh publike dhe qeveritare në Washington.

“Një numër i tillë demonstratash në kaq shumë qytete janë një pikë-kthese në pjekurinë politike të komuniteti latin. Sfidë për këtë komunitet është tani mobilizimi i sukseshëmm për regjistrimin e votuesve”.

Po, kjo është një sfidë: nga 16 milionë votues të ligjshëm latinoamerikanë, në zgjedhjet e 2004-ës morën pjesë vetëm 7 milionë. Pjesëmarrja e ulët në votime bën që zëri i 41 milion latinove në Shteteve të Bashkuara të mos jetë aq i fuqishëm në skenën politike, thotë John Sides, studiues i shkencave politike në Universitetin George Washington.

“Edhe pse hispanikët dhe latinot përbëjnë një fraksion që po rritet në popullsinë amerikane, kjo rritje nuk është shndërruar në ndikimin politik të tyre që do t’i përgjigjej kësaj rritjeje”.

Perspektiva e një ligji për imigracionin i ka bashkuar për herë të parë në mënyrë masive hispanikët dhe punëtorët pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që kjo mund të mos përbëjë fillimin e një lëvizje të drejtash civile, kjo temë duket qartë se i ka nxitur latinot.

Senatorët po përpiqen të arrijnë një kompromis mbi një projekt-ligj për imigracionin që do t’u krijonte punonjësve pa dokumenta mundësinë për t’i hyrë procedurës për punësim të ligjshëm e, për disa, do të përfundonte edhe me marrjen e shtetësisë. Por një ligj i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve përqendrohet në sigurimin e kufirit dhe masat ndaj 12 milionë imigrantëve të paligjshëm.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve do të jetë e vështirë për Partinë Republikane, e cila ka nën kontroll të dy dhomat e kongresit. Sipas Mickey Ibarra-s, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-presidentit Bill Clinton, rritja e mbështetjes së hispanikëve për republikanët mund të prapësohet.

“Nëse republikanët fajësohen për një ligj, që konsideron kundravajtës 12 milion njerëz, komuniteti latin do të zemërohet dhe do ta ndëshkojnë Partinë Republikane”.

Kështu ndodhi në Kaliforni në mes të viteve 90, kur hispanikët votuan masivisht kundër republikanëve, pasi guvernatori i atëhershëm, Pete Wilson, mbështeti një rezolutë që do t’ua ndalonte imigrantëve të paligjshëm shërbimet publike.

2006 është vit zgjedhor dhe demokratët e opozitës shpresojnë të rimarrin kontrollin e kongresit. Votat e latinove mund të jenë përcaktuese në rezultatin e zgjedhjeve.//ii
XS
SM
MD
LG