Lidhje

Shtetet e Bashkuara hedhin poshtë akuzat e Amnesty International për tortura në Guantanamo


Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë dje akuzat e organizatës Amnesty International për tortura në qendrën amerikane të paraburgimit në Gjirin Guantanamo të Kubës. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit madje e kritikoi këtë organizatë me qendër në Londër se nuk ka ndihmuar në procesin penal për krime lufte kundër Saddam Husseinit.

Administrata e Presidentit Bush përsëri mohoi akuzat për keqtrajtim të të ndaluarve që mbahen në Gjirin Guantanamo por ritheksoi dëshirën e saj për ta mbyllur sa më shpejt këtë objekt i cili është bërë burim polemikash.

Komentet u bënë në përgjigje të raportit vjetor që publikoi dje organizata Amnesty International, në të cilin kritikoheshin fuqitë botërore, sidomos Shtetet e Bashkuara, se nuk kanë përfillur shqetësimet rreth të drejtave të njeriut në luftën kundër terrorizmit.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack hodhi poshtë akuzat se mbajtja pa afat në Guantanamo e personave të dyshuar për terrorizëm përbën në fakt një trajtim mizor dhe çnjerëzor dhe se në Guantanamo është praktikuar tortura.

Zoti McCormack përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të jenë gardiani i botës dhe shpresojnë që një ditë ta mbyllin fare Guantanamon. Por ai tha se kritikët nuk i japin përgjigje pyetjes se çfarë duhet bërë me personat që mbahen atje:

"A dëshirojmë ne të gjithë që objekti i Guantanamos të mbyllet një ditë? Patjetër. Por tani për tani, në Gjirin e Guantanamos mbahen njerëz të rrezikshëm. Këta janë njerëz që ne i kemi kapur në fushën e betejës duke planifikuar dhe duke u angazhuar në akte të ndryshme terrorizmi në botë. Këta janë njerëz që përbëjnë një kërcënim të mundshëm jo vetëm për qytetarët amerikanë por edhe për ata evropianë dhe të tjerë kudo në botë," tha McCormack.

Në bazën amerikane të Guantanamos në Kubë mbahen rreth 500 persona, shumica të dyshuar si anëtarë të al-Kaidës ose të Talebanit, të kapur rob gjatë ndërhyrjes amerikane në Afganistan.

Zoti McCormack tha se Shtetet e Bashkuara mbajnë mbi supe edhe barrën e të tjerëve duke mbajtur në paraburgim terroristët e mundshëm. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të riatdhesojnë ata që munden mbi bazën e marrëveshjeve me vendet e ndryshme, me garancinë se personat që lirohen nuk do të keqtrajtohen dhe nuk do të lejohen t’i rikthehen aktivitetit terrorist.

Administrata e Presidentit Bush ka deklaruar në të kaluarën se ajo i mirëpret vëzhgimet e organizatave të të drejtave të njeriut. Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit shprehën irritim lidhur me raportin e organizatës Amnesty International, i dyti i këtij lloji në më pak se një javë që kritikon Shtetet e Bashkuara për abuzime në Guantanamo dhe në objekte të tjera.

Zoti McCormack tha me ironi se organizata Amnesty International është e mirë për të nxjerrë deklarata, por ajo nuk ka bërë asgjë për të mbështetur qeverinë e re irakiane në procesin ndaj Sadam Huseinit, regjimi i të cilit ishte ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në kohët moderne:

"Në vitet e sundimit të Sadam Huseinit, Amnesty International ishte në krye të përpjekjeve për zbulimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut që kryheshin nga ai regjim, të cilat ishin të tmerrshme. Ata bënë një punë të shkëlqyer në këtë aspekt. Por kur erdhi koha për ta nxjerrë Sadamin para gjyqit, gjë që po ndodh tani, ata nuk u ndjenë më, nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar në këto përpjekje," tha zëdhënësi.

Zoti McCormack tha se Amnesty International mund të kishte ofruar ndihmë për prokurorët me informacionet që kishte në dispozicion mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Irak.

Gjyqi i ish diktatorit irakian po zhvillohet kryesisht me mbështetjen amerikane si dhe me ndihmë nga qeveritë evropiane dhe organizata joqeveritare.//ii

XS
SM
MD
LG