Lidhje

SHBA: Senati miraton një projektligj për reformën e imigracionit


Senati amerikan miratoi me 62 vota pro dhe 36 kundër një projektligj për reformën e imigracionit, i cili parashikon forcimin e kufirit të vendit dhe krijimin e një programi të punësimit të përkohshëm për miliona imigrantë të paligjshëm që ndodhen në Shtetet e Bashkuara. Por fati i këtij projektligji është ende i paqartë sepse ai duhet të shkrihet me një projektligj tjetër të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili është mjaft i ndryshëm.

Projektligji i senatit parashikon masa më të fuqishme për sigurimin e kufirit për të ndalur ardhjen e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Për këtë qëllim projektligji i senatit kërkon shtimin e mijra agjentëve të rinj të kufirit dhe ndërtimin e një gardhi 600 kilometra të gjatë përgjatë një pjese të kufirit me Meksikën.

Projektligji përmban gjithashtu dispozita për trajtimin e 11 deri 12 milion punëtorëve pa dokumente që ndodhen në vend, duke krijuar një program punësimi të përkohshëm dhe duke u ofruar shumë prej tyre mundësinë për të marrë shtetësinë amerikane nëse plotësojnë disa kushte, siç janë pagimi i një gjobe dhe mësimi i anglishtes.

Senatori demokrat Ted Kenedi, ndihmoi për hartimin e këtij ligji:

"Kjo është reforma më e rëndësishme e imigracionit në historinë e Amerikës. Është një përpjekje e pëgjithëshme dhe realiste për të zgjidhur problemet e botës reale të cilat kanë kohë që po e infektojnë sistemin tonë të prishur të imigracionit. Ajo forcon sigurinë tonë dhe pasqyron karakterin tonë human”.

Miratimi i projektligjit u bë megjithë kundërshtimin e republikanëve konservatorë, të cilët thonë se dispozita që u ofron imigrantëve të paligjshëm mundësinë për të kërkuar shtetësinë amerikane është e barabartë me amnistinë.

Senatori republikan Xhef Seshëns, u shpreh:

"Ne nuk duhet t’u japim atyre që kanë shkelur ligjet tona çdo të drejtë që u japim njerëzve të cilët presin në radhë dhe vijnë në mënyrë të ligjshme. Ky është një parim shumë i rëndësishëm moral dhe ligjor."

Shumë kongresmenë të shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve janë dakord me këtë pikëpamje dhe kanë deklaruar se do të luftojnë që ky projektligj të mos kthehet në ligj.

Mbështetësit e projektligjit të senatit janë të shqetësuar për fatin e tij sepse ligji i tyre duhet të shkrihet me një projektligj të miratuar muaj më parë nga Dhoma e Përfaqësuesve që është shumë më i ashpër se sa varianti i tyre e që nuk përfshin për shembull programin për punësimin e përkohshëm. Përkundrazi, ai përmban një dispozitë ku imigrantët e paligjshëm cilësohen shkelës të ligjit.

Një nga mbështetësit kryesorë të projektligjit të Senatit, senatori Xhon Mëkejn i Arizonës, një shtet në kufi me Meksikën, shprehu shpresën se midis variantit të Senatit dhe të Dhomës mund të arrihet një kompromis i cili të tregojë zemërgjerësi ndaj miliona punëtorëve pa dokumente që ndodhen në vend:

"Këta njerëz kanë ardhur këtu për të njëjtën arësye që imigrantët gjithnjë kanë ardhur në Amerikë – ata vijnë për të kapur këmbën e fundit të shkallës së cilës kanë ndërmed t’i ngjiten. Le t’i lejomë të ngjiten. Le t’i lejojmë sepse kështu do t’i bëjmë një shërbim Amerikës, e cila ende është vendi i bekuar dhe i bukur i imigrantëve, është ende vend i mundësive dhe i shpresës, vend i ëndrrave të imigrantëve. Le të mbetet ajo përherë e tillë."

Zoti Mëkejn është njëri nga disa republikanët e Senatit që po u kërkojnë kolegëve të tyre në Dhomën e Përafqësuesve të bëjnë kompromis.

Presidenti Bush, i cili mbështet gjithashtu propozimin për krijimin e programit të punësimit të përkohshëm, i ka bërë thirrje Kongresit ta përfshijë një dispozitë të tillë në ligjin për reformën e imigracionit.

XS
SM
MD
LG