Lidhje

Prof. Majër: Shkëputja e Malit të Zi nga Serbia - shembull edhe për pjesë të tjera të rajonit


Rezultati i votimit të së djelës së kaluar në Mal të Zi në referendumin mbi pavarësinë, megjithëse jo i papritur, vazhdon të ngjallë komente. Profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington, Stivën Majër, thotë se shkëputja e Malit të Zi nga Serbia do të përbëjë një shembull edhe për pjesë të tjera të rajonit e më gjerë për t’u shkëputur nga shtetet aktuale. Lidhur me bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, profesori thotë se shembulli i Malit të Zi ka të ngjarë që t’i ndërlikojë.

Zëri i Amerikës: Në votimin për referendumin në Mal të Zi, edhe pse me një diferencë të vogël, shumica e malazezëve votuan për pavarësi. A ishte i pritshëm ky rezultat nga ju dhe, nëse po, përse?

Prof. Majer: Nuk e dija dhe nuk ma merr mendja që dikush e dinte konkretisht se si do të përfundonte, por nuk jam i befasuar që diferenca ishte aq e ngushtë. Thelbësore është se Mali i Zi votoi për shkëputje nga Serbia. Mendoj se kishte të bënte mjaft me mënyrën se si u zhvilluan fushatat, mendoj se zoti Gjukanoviç dhe forcat për pavarësinë zhvilluan një fushatë shumë më të mirë dhe u organizuan shumë më mirë, se fushata pro qendrimit në federatë. Mendoj se kishte shumë pak drejtim nga ana e Beogradit dhe kjo ka të bëjë me përçarjet e brendshme në Beograd.

Zëri i Amerikës: Tani që çështja e refendumit duket se është përcaktuar përfundimisht, a prisni që procesi i tranzicionit drejt sovranitetit të plotë të Malit të Zi do të shkojë pa probleme, megjithëse jo gjithmonë Ballkani është i parashikueshëm.

Prof. Majer: Kjo është e vërtetë, megjithatë nuk parashoh dhunë në rrugën e tanishme të Malit të Zi. Serbët do ta pranojnë realitetin, edhe pse tepër të brengosur, por nuk kanë rrugë tjetër. Të dy vendet, Serbia e Mali i Zi, janë vende të vogla dhe sfidat që do të dalin nuk janë të pakapërcyeshme, por tepër të vështira. Do të ketë sfida ekonomike, megjithatë sfida më e madhe do të jetë marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet të dyjave. Kanë patur marrëdhënie plot mllef ndërmjet Podgoricës e Beogradit, ndërmjet Gjukanoviçit dhe Koshtunicës e Tadiçit. Nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë probleme në zona të tjera që kanë shqiptarë dhe pakica të tjera në Mal të Zi që mund të shkaktojnë probleme. Një problem tjetër do të jetë hyrja e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe, nëse malazezët mendonin se, meqenëse gjithçka shkoi në mënyrë demokratike, anëtarësimi nuk do të jetë i vështirë, do të konstatojnë me keqardhje, se kanë menduar gabim.

Zëri i Amerikës: Tani pas më shumë se një dekade e gjysëm ngjarjesh të rënda në Ballkan, referendumi në Mal të Zi duket ngjarje e shënuar. Cilat do të ishin disa nga mësimet e nxjerra nga kjo ngjarje?

Prof. Majer: I pari është në nivelin akademik e studimor dhe është pjesë e një procesi tepër të gjatë. Për shembull, që nga Lufta e Parë Botërore, kur perandoritë filluan të shpërbëhen dhe vendet e reja u ngritën mbi baza etnike. Pra, etnia përcakton kufijtë. Mësimi i dytë është se në Ballkan, ndryshe nga një pjesë e madhe e Evropës, kufijtë janë kufij realë, shtetet janë tepër të rëndësishme dhe mosmarrëveshjet lidhur me kufijtë e sovranitetin vazhdojnë. Mësimi i tretë lidhet me shembullin që përbën Mali i Zi për zona të tjera që aspirojnë të shkëputen nga shtetet ku ndodhen aktualisht. Vota e malazezëve me ndihmën e shqiptarëve përcaktoi fatin e referendumit, pra, ishte votë mbi baza etnike. Një gjë e tillë po kërkohet nga disa parti në Republikën Serbe të Bosnjës, në Çeçeni dhe modeli i Malit të Zi mund të ndikojë deri edhe në Kashmirin e largët. Precedenti që u vendos me Malin e Zi përputhet me Marrëveshjen e Helsinkit që kufijtë mund të ndryshohen në mënyrë paqësore. Mësimi i katërt lidhet me pushtetin dhe vullnetin e fuqive të mëdha.

Zëri i Amerikës: Një pjesë tjetër e ish-federatës jugosllave, Kosova, ka hyrë në rrugën e pavarësisë së saj. A prisni ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë të referendumit në Mal të Zi në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit apo në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës?

Prof. Majer: Ekzistojnë dy çështje të rëndësishme. Sa i përket njërës, përgjigja është: Po. Si Prishtina, edhe Beogradi, do të thonë se Mali i Zi ishte shembull i mirë dhe ne duhet ta ndjekim. Prishtina do të përqendrohet tek ndryshimi paqësor i kufijve dhe sovranitetit, kurse Beogradi tek faktin që një komunitet mudn ta shprehë qendrimin e vet në mënyrë demokratike dhe do të thotë se serbët e Kosovës e gëzojnë këtë të drejtë dhe meritojnë një lloj pavarësie. Mendoj se shembulli i Malit të Zi do t’i ndërlikojë disi bisedimet duke i bërë edhe më të vështira, pasi të dyja palët mund t’i shfrytëzojnë mësimet e nxjerra nga kjo ngjarje. Së dyti, çdo gjë varet tek fuqitë e mëdha. Bisedimet e Vienës drejtohen nga Ahtisari dhe Rohani, nga Uashingtoni e Brukseli, dhe çështja kryesore, siç e thashë më lart, është se sa këto fuqi janë të gatshme të lejojnë etnitë në Kosovë të realizojnë synimet e tyre.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin disa nga sfidat me të cilat do të përballej Kosova pas fitores së pavarësisë?

Prof. Majer: Mendoj se problemi kryesor do të jetë papunësia e lartë, së dyti, shqetësimet për korrupsionin dhe krimin, dhe së treti, çështja e pakicave, nëse ato do të integrohen apo jo në Kosovën e pavarur. E katërta do të ishte se si do të organizoheshin shqiptarët në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Po, Profesor Majer, cilat janë sugjerimet tuaja për përballimin e sfidave që sapo përmendët?

Prof. Majer: Rrugë shpëtimi për ta është përfshirja e Kosovës në një treg më të gjerë ekonomik e kornizë politike. Duhet të kenë marrëdhënie pune me Serbinë. Sapo të përcaktohet statusi dhe mllefet të jenë zbutur Kosova dhe Serbia, pa mbikqyrjen e fuqive të mëdha, duhet të rivendosin marrëdhënie ndërmjet tyre. Kosova duhet të gjejë treg jashtë vetes, pasi nuk ka qenë kurrë e pavarur në tregun e vet, por e përfshirë në një treg shumë të gjerë ekonomik. Hapja e vendeve të punës është gjëja më e rëndësishme. U duhet dhënë rëndësi eksporteve, rritjes së prodhimit. Sa i përket krimit dhe korrupsionit, përsëri kërkohet bashkëpunim me vendet e tjera, pasi është e pamundur ndryshe. //az//

XS
SM
MD
LG