Lidhje

Trupa shtesë në Irak për të luftuar kryengritjen në Al-Anbar


Departamenti i Mbrojtjes nxorri raportin e tij tremujor mbi përparimin në Irak, duke u përqendruar tek përparimi i bërë që kur doli raporti i fundit në shkurt. Por po sot komanda shumëkombëshe në Irak konfirmoi se ka kërkuar që një forcë rezervë prej 1 mijë e 500 trupash e vendosur në Kuvajt të shkojë atje për të ndihmuar në vendosjen e sigurisë në një zonë me trazira në perëndim të vendit.

Në raportin për Qendrueshmërinë dhe Sigurinë në Irak kërkuar nga Kongresi shqyrtohet përparimi politik përfshirë krijimin e qeverisë së re irakiane. Aty përmendet vetëm shkarazi fakti që nuk janë emëruar ende ministrat e rinj të mbrojtjes dhe të brendshëm që do të drejtojnë forcat e ushtrisë dhe policisë. Në raport përmendet gjithashtu përparimi ekonomik, përpjekjet e rindërtimit, prodhimit të naftës dhe zhvillimi i shtypit të lirë. Në raport thuhet se forcat e ushtrisë dhe policisë irakiane po shtohen në numër dhe po përmirësojnë aftësitë e tyre.

Sipas raportit, 71 njësi të ushtrisë kanë marrë rolin drejtues në luftime dhe 40 të tjera po veprojnë në krah të trupave të huaja. Njësitë irakiane kanë marrë përgjegjësinë kryesore për sigurinë në pjesë të ndryshme të vendit. Por në raport nuk thuhet që njësitë irakiane janë në gjendje të veprojnë në mënyrë të pavarur në shkallë të gjerë, kryesisht për shkak të mungesës së strukturës logjistike.

Zëdhënësi i Pentagonit, Bryan Whitman, thotë se në raport pranohet se dhuna është intensifikuar që kur doli raporti i fundit tremujor. “Që kur doli raporti i shkurtit dhe shpërthimi në xhaminë e Samarrës ka pasur një intensifikim të dhunës, por kjo dhunë nuk ka çuar në luftën civile që forcat anti-irakiane donin të realizonin”. Në raport thuhet se 81 për qind e sulmeve në Irak ndodhin në katër provinca dhe shumica e tyre kryhen në Bagdad dhe provincën al-Anbar në perëndim të mbizotëruar nga myslimanët suni. Për të ndihmuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje, komanda shumëkombëshe në Irak konfirmoi se një mijë e 500 trupa që kanë qenë në gadishmëri në Kuvajt janë dërguar në al-Anbar për të ndihmuar me operacionet e sigurisë. “Këto forca kanë si detyrë të ndihmojnë forcat irakiane të sigurisë në operacionet aktuale për vendosjen e shtetit ligjor në zonat ku po shkojnë, që të krijojnë kushtet e përshtatshme për qeverisjen krahinore dhe lokale, për të shtuar sigurinë për popullsinë e krahinës al-Anbar dhe për të dobësuar ndikimin e al-Kaidës në këtë zonë kyçe”.

Ridislokimi i forcave shtesë bëhet ndërkohë që komandanti i koalicionit në Irak Gjeneral George Casey pritet të bëjë rekomandime për nivelin e forcave për muajt e ardhshëm të këtij viti. Gjenerali tha se do t’i bëjë rekomandimet gjatë javëve të ardhëshme dhe ka shprehur shpresën se do të jetë në gjendje që të njoftojë për një pakësim të konsiderueshëm të trupave të huaja.//rd//

XS
SM
MD
LG