Lidhje

Uashingtoni i gatshëm për bisedime me Teheranin mbi ambicjet bërthamore


Shtetet e Bashkuara thanë se janë të përgatitura të marrin pjesë në bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit, nëse Teherani i ndalon të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit. Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice njoftoi këtë ndryshim të politikës para takimit të fuqive të mëdha lidhur me këtë çështje që zhvillohet të enjten në Vjenë.

Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakort me kusht të marrin një rol të drejtpërdrejtë në bisedimet me Iranin në mbështetje të një përpjekjeje ndërkombëtare për ta bindur Iranin të ndalë aktivitetin e tij bërthamor që zyrtarët amerikanë besojnë se ka lidhje me prodhimin e armëve bërthamore.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur marrëdhënie diplomatike dhe pak kontakte politike me Iranin që nga viti 1979 dhe oferta për të marrë pjesë në bisedimet bërthamore është një ndryshim në politikën e administratës së presidentit Bush, politikë që më parë ka lejuar aleatët evropianë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë të marrin rolin kryesor në këto bisedime.

Njoftimi për këtë lëvizje erdhi nga Sekretarja e Shtetit Rice në një konferencë shtypi vetëm disa orë para se ajo të nisej për në Vjenë për një sesion të rëndësishëm të bisedimeve bërthamore me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë. Fuqitë kryesore po punojnë për një paketë ndihmash për Iranin në se ky i fundit ndal pasurimin e uraniumit dhe kthehet në bisedimet bërthamore me treshen e Bashkimit Evropian, përndryshe përballet me rezolutë të Këshillit të Sigurimit kundër Teheranit që mund të çojë në sanksione në shkallë të gjerë.

Rice tha se Shtetet e Bashkuara ofruan të bashkohen në tryezën e negociatave të treshes evropiane, në se Irani ndërpret plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme aktivitetet e përpunimit dhe pasurimit të uraniumit, për të sjellë energji të reja dhe për të shtuar peshë në negociatat. Ajo u tha gazetarëve se shpreson se lëvizja e Shteteve të Bashkuara do të sjellë një përgjigje të prerë nga Teherani dhe një zgjidhje nëse kërkon të vazhdojë programin bërhtamor të armëve në kundërshtim me komunitetin ndërkombëtar ose të ndryshojë kursin e tanishëm dhe të bashkëpunojë për zgjidhjen e kësaj çështjeje:

“Ka ardhur koha të dimë në se Irani i sheh me seriozitet këto negociata. Nuk mund të vazhdojmë në kushtet kur herë pas here një zyrtar iranian thotë “jemi disi të interesuar në propozimin rus ose ndoshta të interesuar të kthehemi përsëri në negociatat me Bashkimin Evropian” dhe asgjë nuk ndodh. Ka ardhur koha të kemi një zgjidhje të prerë dhe dy rrugë shumë të qarta,” tha zonja Rice.

Sekretarja e Shtetit paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara hynë në bisedimet bërthamore, kjo nuk do të thotë se do të rivendosë marrëdhënie diplomatike me Iranin duke patur parasysh shumë çështje problematike që mbeten pa zgjidhur, përfshi përkrahjen e Teheranit ndaj terrorizmit dhe përfshirjen e tij në dhunën në Irak. Ajo hodhi poshtë një sugjerim se oferta e Shteteve të Bashkuara i jep legjitimitet qeverisë së Teheranit: “Askush nuk është i paqartë rreth natyrës së këtij regjimi. Por presidenti e bëri shumë të qartë se do të bëjmë ç’të mundemi për të gjetur një zgjidhje diplomatike për problemin bërthamor. Dhe e vetmja gjë që fiton legjitimitet këtu është konsensusi i komunitetit ndërkombëtar që Irani duhet të ndërpresë aktivitetet e tanishme të procesimit dhe pasurimit të uraniumit, tu kthehet seriozisht negociatave, të gjejë një program civil që nuk krijon rreziqe për përhapjen e armëve bërthamore dhe të negociojë në besim të mirë”.

Sekretarja Rice tha se është bërë përparim në negocimin e termave të paketës së ndihmave por se vazhdojnë të mbeten disa mosmarrëveshje. Rusia dhe Kina njoftohet ti kenë rezistuar një rezulute të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit që kërkon përmbushjen e detyrimeve nga Irani dhe kërcënon sanksione nëse ky refuzon marrëveshjen për paketën e ndihmave. //ad//

XS
SM
MD
LG