Lidhje

Kryeministri Berisha: Zhvarrosjet në fshatrat e Përmetit kanë qenë të paautorizuara


Kryeministri Sali Berisha tha sot se zhvarrosja e kryer në disa fshatra të Përmetit ka qenë e paautorizuar dhe se një akt i tillë përbën vepër penale për të cilin hetimet duhet të shkojnë deri në fund.

Komentet e sotme të zotit Berisha përbëjnë deklarimin e parë të autoriteteve lidhur me dyshimet për trafik të eshtrave për varrezat e ushtarëve grek që mendohet se janë vrarë gjatë një beteje në lufën e dytë Botërore. Kryeministri megjithatë i kufizoi përmasat e kësaj ngjarjeje si diçka lokale duke përjashtuar një përfshirje të mundshme të autoriteteve greke.

Prania e disa arkave me eshtra në kishën ortodokse të fshatit Kutal të Përmetit dhe denoncimet e disa banorëve se ato janë marrë nga varret civile të zonës përreth janë prej ditësh një nga ngjarjet më të debatueshme.

Dyshimet se ato do të përfundonin për të mbushur varrezat e ngritura në manastirin e Këlcyrës për ushtarët grekë të vrarë në vitin 1943 i kanë dhënë përmasa jo të zakonshme kësaj çështjeje.

Kryeministri Sali Berisha tha sot se hetimet e nisura duhet të shkojnë deri në fund. Prania në krah të priftit të Përmetit e konsullit grek në Gjirokastër dhe ndërhyrja e tij për të penguar marrjen e arkave me eshtra nga ana e autoriteteve policore i dhanë ngjyrime të tjera kësaj çështjeje. Por Kryeministri Berisha preferoi sot të përjashtonte gjatë komenteve të tij një përfshirje të autoriteteve greke, duke e përkufizuar gjithshka si veprime individuale të priftit dhe si një problem thjesht me karakter lokal.

Por të këtij mendimi nuk janë shumë përfaqësues të tjerë të politikës. Vecanërisht të majtët në opozitë e konsiderojnë atë si një cështje politike. Sipas tyre nuk ka ende asnjë marrëveshje për ngritjen e varrezës ndërkohë që ajo është bërë tashmë një fakt i kryer.

Nga ana tjetër prifti i Përmetit deri më sot ka refuzuar të paraqitet para prokurorëve që po ndjekin këtë cështje. Mitropolia e Gjirokastrës dhe as drejtuesit e Kishës Autoqefale ende nuk janë shprehur publikisht. Madje dhe nuk i është dhënë përgjigje kërkesës së hetuesve për të marrë arkat si provë që do të vërtetonte apo hidhte poshtë dyshimet e lindura për atë që cilësohet tashmë si trafik eshtrash. //rd//

XS
SM
MD
LG