Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje për miratimin e reformës së imigracionit


Presidenti Bush po u bën thirrje anëtarëve të Kongresit amerikan të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të miratojnë një ligj të gjerë për imigracionin. Presidenti e pranon se arritja e një kompromisi nuk do të jetë e lehtë.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kanë miratuar deri tani variantet e tyre të projektligjit për reformën e imigracionit, të cilët janë tepër të ndryshëm nga njëri-tjetri. Detyra tani është që t’i shkrijnë këta variante në një projektligj të vetëm kompromisi. Presidenti Bush e pranon se kjo do të jetë një punë e vështirë por thotë se ajo mund dhe duhet bërë me çdo kusht.

"Është një detyrë e vështirë. E megjithatë, vështirësia e kësaj detyre nuk është justifikim për t’ju shmangur asaj," tha Presidenti.

Në një fjalim përpara Dhomës amerikane të Tregtisë, një shoqatë kombëtare e pronarëve të bizneseve, presidenti e bëri fare të qartë se parapëlqen projektligjin e Senatit se sa atë të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili vë kufizime shumë më të mëdha përsa i përket imigracionit.

Varianti i Senatit përfshin një program punësimi të përkohshëm dhe një formulë e cila do t’i jepte mundësi një pjese të imigrantëve të paligjshëm që një ditë të kërkojnë shtetësinë amerikane.

Kritikët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se varianti i Senatit praktikisht u jep amnisti atyre njerëzve që kanë shkelur ligjet amerikane por Presidenti Bush, ish guvernator i një shteti kufitar ne Meksikën, thotë se ky është variant realist.

"Ekziston një e mesme realiste midis dhënies automatikisht të rrugës për marrjen e shtetësisë për cilindo imigrant të paligjshëm dhe një programi i cili kërkon që çdo imigrant i paligjshëm të largohet nga vendi."

Ai tha se ekzistojnë ndryshime të qarta mes imigrantëve të paligjshëm që sapo kanë kaluar kufirin dhe atyre që ndodhen prej vitesh në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë një punë, kanë familje dhe një “të kaluar të pastër”.

"Mendoj se imigrantët e paligjshëm të cilët kanë rrënjë në vendin tonë dhe dëshirojnë të qendrojnë duhet të paguajnë një gjobë jo të vogël për shkeljen e ligjit, të paguajnë taksat, të mësojnë anglishten dhe të qendrojnë në një vend pune për një numër vitesh. Njerëzit që i plotësojnë këto kushte duhet që një ditë të lejohen të aplikojnë për shtetësi ashtu si edhe punëtorët e tjerë të huaj."

Por Presidenti theksoi se ata do të jenë të fundit në radhë dhe dhënia e shtetësisë nuk do të bëhet automatikisht. Ai tha se deportimi i të gjithë imigrantëve të paligjshëm nuk është përgjigja e duhur dhe se rruga e vetme për të riparuar sistemin e tanishëm jofunksional të imigracionit është një zgjidhje shumëplanëshe e cila mbështetet jo thjesht te sigurimi i kufirit.

"Të gjithë elementët e këtij problemi duhet të zgjidhen së bashku, përndryshe asnjëri prej tyre nuk do të zgjidhet dot,” tha ai.

Presidenti Bush gjeti mbështetje të fortë midis anëtarëve të Dhomës së Tregtisë, e cila vazhdimisht është shprehur për një ligj imigracioni i cili të përfshijë edhe programin e punësimit të përkohshëm.//ii

XS
SM
MD
LG