Lidhje

Irak: të paktën 36 të vrarë ndërkohë që udhëheqësit politikë të vendit vazhdojnë polemikat


Policia irakiane thotë se kryengritësit vranë sot të paktën 36 vetë, ndërkohë që udhëheqësit politikë të vendit vazhdojnë polemikat se kush do të drejtojë dy ministritë e rëndësishme, të brendshme dhe të mbrojtjes.

Policia njoftoi se gjatë një sulmi, kryengritësit vranë 21 vetë, midis tyre edhe studentë, duke i tërhequr ata nga autobusët në një postbllok të një qyteti në veri të Bagdatit.

Një person i plagosur gjatë këtij sulmi i tha Zërit të Amerikës se njerëzit e armatosur i pyesnin udhëtarët nëse ishin suni, shiitë, kurdë apo turkmenë. Ai tha se katër vetë në autobus shpëtuan gjallë.

Gjithashtu, Ministria e Brendshme irakiane tha se persona të armatosur vranë katër punonjës të një kompanie telefonike dhe plagosën dy të tjerë pranë qytetit Sadr të Bagdatit.

Në qytetin jugor të Basrës, sipas policisë, të paktën 11 vetë u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri në një xhami suni.

Ndërkohë, udhëheqësit politikë të Irakut shtynë për një kohë të pacaktuar një seancë të parlamentit ku duhet të shqyrtoheshin kandidatët për të drejtuar dy ministritë e rëndësishme, të mbrojtjes dhe të brendshme. Kryeministri Nuri al-Maliki pritej të shpallte emrat e kandidatëve për këto dy poste. Por zëvendëskryetari i parlamentit, Khaled al-Attiya tha sot se vazhdojnë mosmarrëveshjet rreth kandidatëve.//ii

XS
SM
MD
LG