Lidhje

Masat e sigurisë në prag të Botërorit


Ndërkohë që Finalet e Botërorit 2006 në Gjermani po afrojnë, masat e sigurimit janë në qendër të vemendjes së organizatorëve. Ndër shqetësimet kryesore të autoriteteve janë aktet terroriste dhe tifozët e dhunshëm vendas e ata që vijnë nga vende të tjera, prandaj dhe masat e sigurimit i kapërcejnë kufijtë e Gjermanisë.

Policia gjermane thotë se ka besim se do të përballojë dhe mbajë nën kontroll trazirat e mundshme të tifozëve të dhunshëm gjatë zhvillimit të finaleve të Kampionatit Botëror të Futbollit. Vëmendja kryesore do të përqendrohet tek terrorizmi, por edhe tek huliganët e hajdutët e xhepave.

Në qytetin e Berlinit, një e treta e forcave të policisë do të ngarkohet të mbajë nën kontroll ndeshjet e veprimtaritë e Kupës së Botës, por do të ketë gjithashtu ndihmë edhe nga vende të tjera të Evropës për ngritjen e një sistemi për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve sa më shpejt që të jetë e mundur. Kryeprokurori i Berlinit, Ralf Rother: “Në Poloni, Angli dhe Hollandë kemi gjykata dhe prokurorë në gatishmëri, të cilët mund të reagojnë menjëherë, kurse në Berlin po punon një gjykatës francez”.

Megjithatë, ka vepra penale që policia nuk mund t’i parandalojë, siç ishte rasti i sulmit me thikë pas përurimit të një stacioni treni në Berlin më 26 maj. Një adoleshent vrau dhe plagosi dhjetra vetë që po ktheheshin në shtëpi pas inaugurimit. “Nuk mund të bësh asgjë për të penguar incidente të tilla”, thotë shefi i policisë së Berlinit, Dieter Glitch.

Sulmi me thikë ndodhi vetëm pak ditë pasi zyrtari më i lartë gjerman i sigurimit shprehu shqetësim në lidhje me huliganët polakë, ndërkohë që deklaroi se rreziku më i madh vinte nga brenda vetë Gjermanisë. Shumica e huliganëve gjermanë janë regjistruar në sistemin komjuterik të vendit, por jo huliganët nga vende të tjera, përfshirë Poloninë.

Kryeprokurori i Berlinit, Rother, tha se duhet vendosur një linjë faksi përmes së cilës mund t’u vihet në ndihmë autoriteteve për të verifikuar biografinë penale të të dyshuarve. //rd//

XS
SM
MD
LG