Lidhje

Përgatitjet për kampionatin botëror të futbollit hyjnë në fazat e fundit


Përgatitjet për Kampionatin Botëror të Futbollit në Gjermani kanë hyrë tashmë në fazat e fundit. 12 qytete gjermane do të hapin stadiumet për ndeshje të kampionatit. Finalja do të luhet në Berlin më 9 korrik. Mbi 4 milion tifozë pritet të vizitojnë Gjermaninë gjatë kësaj ngjarjeje një mujore.

Ekipet e ndërtimit po bëjnë retushet e fundit në kuadër të projektit 300 milion dollarësh të modernizimit të stadiumit në Berlin, i cili do të jetë skena e veprimtarisë më të madhe sportive që në Lojrat Olimpike të 1936. 60 mijë tifozë do të kenë mundësi të ndjekin çdo ndeshje në stadium, përfshirë edhe finalen e Kampionatit.

Por nëse disa nuk janë në gjendje të gjejnë bileta për ndeshjet, ka plot çfarë të bësh këto ditë në Gjermani. Berlini dhe qytete të tjera gjermane po organizojnë një festë 3 javëshe me tematikë – futbollin. Qeveria ka caktuar disa qendra për të parë ndeshjen ku tifozët mund të mblidhen dhe të brohorasin për ekipin e tyre.

Ndërkaq shumë firma private do të organizojnë gjatë gjithë kampinatit mbrëmje për tifozët, me muzikë nga vendet që luajnë atë ditë të caktuar. Bjorn Doring është një ndër organizatorët e mbrëmjeve:

“Futbolli është më shumë se një lojë me top. Kudo do të kënaqesh duke ndjekur ndeshjet, dhe duke u njohur me kulturat. Do të ketë plot muzikantë dhe tifozë. Prandaj menduam se ishte me vend të sillnim artistë për të interpretuar dhe të organizonim edhe ekspozita.”

Pa dyshim tifozët duhet të kenë veshjen e duhur, dhe në Gjermani gjen bluzën e përshtatshme për aktivitete të tilla. Nëse nuk të pëlqen ndonjë nga bluzat, manaxherja e këtij dyqani veshjesh Eva Prokop ka plot sugjerime:

“Kemi syze dhe ëmbëlsira, bluza, çanta shpine, çanta për pazar. Nuk e imagjinoja që mund të prodhoheshin kaq shumë artikuj me tematikë nga Kampionati.”

Berlini po përgatitet për qindra mijëra vizitorë, dhe punonjësit e transportit publik thonë se janë të përgatitur për turmat. Nga kjo qendër, vëzhgohen dhe kontrollohen pa pushim trenat, tramvajet dhe rrjetet e autobusëve urbanë. Zyrtarët thonë se mund të përballojnë transportin për 50 mijë vetë në orë për në stadium.

Berlini është qytet me tifozë të zjarrtë. Kulla e vjetër e qytetit, e cila tashmë shërben si restorant, është zbukuruar kohët e fundit në formën e një topi futbolli ku mund të futesh për të pirë një gotë. Për ata që nuk i pëlqejnë lartësitë, pranë Portës historike Brandenburg ka një tjetër klub. Nëse tifozët duan të njihen me historinë gjatë qëndrimit këtu, Berlini është vend ideal për të mësuar për ndarjet e vjetra në Evropë. Këtu mund të gjesh plot objekte nga periudha sovjetike të cilat janë ruajtur të paprekura. Po ashtu, Postblloku Charlie, pika më e famshme e kalimit të kontrollit në Murin e Berlinit, është tani një pikë e preferuar turistike. Jeta normale e berlinezëve pa dyshim do të trazohet, gjë që i shqetëson disa:

“Unë jam tifoz i çmendur futbolli. E ndjek me interes Kampionatin Botëror, por mendoj se po e ekzagjerojnë. Kanë organizuar shumë gjëra. Unë për vete nuk do ta ndjek çdo ditë kampionatin”, thotë një tifoz gjerman.

“Pres ta festoj me kolegët dhe miqtë e mi. Do të organizojmë darka, festa plot”, thotë një tifoz tjetër.

Qofsh apo jo tifoz futbolli, Kampionati, dhe bashkë me të edhe festimet për disa, kokëçarjet për disa të tjerë, do të fillojë së shpejti.

XS
SM
MD
LG