Lidhje

Kosovë: Ndalohen 81 persona në protestat tek selia e UNMIK-ut


Policia ka ndaluar 81 veta gjatë ndërhyrjeve për të shpërndarë protestuesit që kishin bllokuar që nga mesdita e djeshme hyrje daljet e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Protesta është organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, një lëvizje që kundërshton negociatat për statusin e Kosovës.

Pak pas orës tre të mëngjesit, policia ka shpërndarë protestuesit duke ndaluar rreth 27 veta, ndërsa në ndërhyrjen e dytë pak para mesditës janë ndaluar edhe 54 të tjerë. Veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje akuzuan policinë për përdorim të tepruar të forcës gjatë ndërhyrjes, duke nënvizuar se shumë veta kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Policia ndërkaq thotë se nuk ka pasur dhunë të tepruar, por nuk përjashton që të ketë pasur persona që kanë pësuar plagë gjatë ndalimeve. Ndërhyrjet e policisë janë vëzhguar nga veprimtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, të cilët flasin për përdorim të kufizuar të forcës. Një grup prej dhjetëra protestuesish ende po qëndron përballë njërës nga hyrjet e UNMIK-ut, por rruga dhe hyrjet e UNMIK-ut janë zhbllokuar.

Bllokimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara filloi të enjten në mesditë me një protestë gjatë se cilës është kërkuar shfuqizimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të cilën administrohet Kosova, largimi i UNMIK-ut dhe njohja e të drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje. Gjatë protestës janë kërkuar edhe ndryshime ne skenën politike të Kosovës, është kundërshtuar puna e ekipit të negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës si dhe ndërprerja e procesit të privatizimit dhe të decentralizimit në Kosovë.

Protestat përkojnë me përvjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër objektivave serbe dhe miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të cilën administrohet Kosova. Ndryshimi i kësaj Rezolute pritet bashkë me përmbylljen e procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës. Sipas të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahttisari, bisedimet e drejtpërdrejta për këtë çështje pritet të fillojnë muajin që vjen.

XS
SM
MD
LG