Lidhje

Ahtisari: “Serbët të hyjnë në institucionet e Kosovës”


Krye negociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari tha sot në Prishtinë se pakicat kombëtare duhet të jenë pjesë e përpjekjeve për krijimin e një shoqërie shumetnike dhe për sigurimin e kushteve që të gjithë qytetarët e Kosovës si shumica ashtu edhe pakicat të kenë një jetë të dinjitetshme dhe një të ardhme më të mirë. Ai i bëri këto komente gjatë takimeve më grupin negociues të Prishtinës për statusin e Kosovës por edhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare.

Zoti Ahttisari i cili dje filloi një vizitë treditëshe në Kosovë tha se pas takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku më 20 qershor do të raportohet për gjendjen në Kosovë pritet që në gjysmën e dytë të korrikut të fillohet me bisedimet për vetë statusin politik të Kosovës. Ai tha se në terren ka pasur shumë veprime nga ana e institucioneve të Kosovës për t’u shtrirë dorën pakicave kombëtare… “Dua t’u bëjë thirrje pakicave dhe posaçërisht pakicës serbe që të marrin pjesë, të pranojnë ofertën për të marrë pjesë në strukturat qeveritare dhe në Parlament sepse kjo është rruga më e mirë për të garantuar se përfundimisht po fillojmë të ndërtojmë së bashku një shoqëri shumetnike. Kjo do të nënkuptojë një lëvizje të lehtë në statusin e ri nga “status quoja” aktuale”, tha zoti Ahtisari i cili është siguruar nga udhëheqësit politik të Kosovës se do të angazhohen për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht nga përkatësia etnike.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë shprehur qëndrime të ndara rreth pjesëmarrjes së tyre në institucione. Goran Bogdanoviq nga Lista serbe për Kosovën dhe Metohinë, siç quhet subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, tha se janë të pakta mundësitë që ata të hyjnë në institucione… “Si qëndrojnë punët, me siguri nuk do të kthehemi. Po e përsërisë se neve na duhet mbështetja e Beogradit, na duhet marrëveshja e të gjithë faktorëve politikë në Kosovë sepse edhe ashtu jemi të ndarë, prandaj duam qëndrim të përbashkët të komunitetit serb në Kosovë për pjesëmarrje në institucione”, tha Goran Bogdanoviç.

Shefi i kësaj liste, Oliver Ivanoviç ka paralajmëruar ndërkaq mundësinë e kthimit në institucione si rruga e vetme për të mbrojtur interesat e komunitetit serb në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se kjo listë së shpejti do t’u dorëzojë institucioneve ndërkombëtare dhe atyre vendase edhe një plan të veçantë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Decentralizimi i pushtetit ishte tema më e vështirë e negociatave të deritashme të drejtuara nga krye negociatori Marti Ahttisari. Ky i fundit ka pohuar ndërkaq se bisedimet që kanë të bëjnë me çështjet e veçanta duhet të përmbyllen brenda muajit qershor, për t’u lënë udhë atyre për statusin politik të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG