Lidhje

Gazetat: Përdorimi i internetit po sjell pakësimin e lexuesve


Zyra e Mbikqyrjes së Tirazhit, një organizatë që vëzhgon numrin e gazetave të përditëshme që shpërndahen në Shtetet e Bashkuara, thotë se sot numri i njerëzve që lexojnë gazetat ka rënë. Disa analistë të industrisë thonë se kjo rënie tregon se gazetat tradicionale janë në luftë për mbijetesë me një medium të ri të fuqishëm.

Numri i gazetave që qarkullojnë në Shtetet e Bashkuara po bie ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po i kthehen Internetit për të marrë lajmet dhe informacionet e ditës. Por ndërsa teknologjia e re po ndryshon zakonet e leximit, veçanërisht midis të rinjve, ato nuk kanë ndryshuar oreksin e njerëzve për lajme.

Mathew Felling punon në Qendrën për Marrëdhëniet e Publikut dhe të Medias, organizatë jo-fitimprurëse në Washington DC: "Brezi i ri po u kthen shpinën gazetave megjithëse përsëri i do lajmet. Por çdo gjë e merr përmes internetit", thotë zoti Felling.

Megjithë fitimet modeste të disa gazetave si USA Today, tirazhi i përditshëm mesatar i gazetave lokale në Shtetet e Bashkuara ra me 1,2 milion lexues krahasuar me të njëjtën periudhë gjashtëmujore të vitit të kaluar. Por John Kimball, drejtor i maketingut për Shoqatën amerikane të Gazetave thotë se numri nuk tregon gjithçka: "Formula magjike, në se ekziston një e tillë është të fillosh të shohësh industrinë në tërësi dhe jo vetëm numrin e produkteve që shet në një ditë. Duhet të shohësh audiencën që kërkon lajme dhe informacione përmes gazetës", thotë zoti Kimball.

Studimet e kësaj organizate biznesi tregojnë se trafiku i faqeve elektronike të gazetave është rritur 8 përqind duke patur mesatarisht në muaj 56 milion lexues ose më shumë se 1 e treta e të gjithë përdoruesve të internetit. Por disa analistë të industrisë thonë se dhënia e informacioneve falas është si të japësh muzikë falas: "Gazetat po kanibalizojnë vetveten pasi po jepen falas për shumë njerëz që kërkojnë të lexojnë. Ka shumë njerëz që e kanë anuluar abonimin e tyre pasi mund ti marrin informacionet falas në faqen e internetit washingtonpost.com".

Por Shoqata e Gazetave thotë se ekuacioni i vjetër i çuarjes së lexuesve tek reklamuesit ende mbetet i vërtetë edhe në botën e internetit. Vitin e kaluar interneti nxorri më shumë se 12 miliardë dollarë fitime nga reklamat: "Nga këto 12 miliardë e 500 milion dollarë industria e gazetave kapi 17 përqind, kështu që nuk është se nuk dimë si ta luajmë lojën e internetit. Megjithëse ritmi i rritjes është zvogëluar reklamat në gazeta ende llogariten të sjellin 80 përqind të të ardhurave".

Shoqata thotë se gazetat kanë një avantazh: lexuesit janë mësuar të shohin aty reklamat: "Në internet lexuesit përdorin gjithfarë mënyrash për të mos u bezdisur nga reklamat por ata janë mësuar ti shohin reklamat në faqet e gazetave", thotë zoti Kimball.

Gazetat po evoluojnë. Eksperimentet me gazeta falas kanë rritur lexueshmërinë në disa komunitete. Po kështu edhe përdorimi i ngjyrave, lajmeve të shkurtra dhe faqeve të zvogëluara. Më shumë ndryshime do të shohim ndoshta për të tërhequr lexuesit e rinj, por ekspertët e industrisë thonë se gazetat tradicionale do të qëndrojnë në treg. //rd//

XS
SM
MD
LG