Lidhje

Serbët e Kosovës thonë se gjendja e tyre nuk ndryshoi gjatë mandatit të kryeaministratorit Petersen


Serbët e Kosovës mendojnë se gjendja e tyre nuk ka ndryshuar gjatë mandatit të kryeadministratorit Sorren Jessen Petersen, i cili njoftoi sot se do të largohet nga Kosova në fund të muajit. Përfaqësuesi i Listës serbe, Oliver Ivanovic, i tha Zërit të Amerikës se zoti Petersen do të mbahet mend nga serbët e Kosovës me kujtime jo fort të mira për miqësinë e tij me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, i akuzuar nga gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se zoti Petersen e nisi me shumë energji punën në Kosovë, por në përfundim të mandatit të tij, gjendja e tyre në vend, mbeti ajo që kishte qenë më parë. Përfaqësuesi i Listës serbe, Oliver Ivanoviç, tha të hënën për Zërin e Amerikës, se ai erdhi me shumë ide të mira.

“Ai u dobësua ndërkohë duke na sjellë në një mënyrë në bisedimet për statusin, dhe do ta kujtojmë atë me kujtime jo fort të mira edhe për miqësinë e tij kontraverse me të akuzuarin e gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, Ramush Haradinajn”.

Zoti Ivanoviç tha se serbët e Kosovës nuk do të jenë kurrë të kënaqur përderisa nuk kanë liri të lëvizjes dhe siguri këtu.

“Për fat të keq, në fund të mandatit të tij, është njësoj siç ishte dy vjet më parë”, tha përfaqësuesi serb.

Megjithatë, përfaqësuesit serbë thonë se është ende herët të bëhen komente më të plota për largimin e kryeadministratorit Jessen Petersen nga Kosova.

XS
SM
MD
LG