Lidhje

Presidenti Bush diskuton me këshilltarët e tij për strategjinë e luftës në Irak


Presidenti Bush po zhvillon bisedime me këshilltarët e tij kryesorë civilë dhe ushtarakë për të bërë plane mbi rolin që do të kenë Shtetet e Bashkuara në të ardhmen në Irak. Presidenti u tha të hënën gazetarëve se bisedimet po përqëndrohen në mënyrat më të mira për të ndihmuar qeverinë e re të Irakut. Ai tha se vdekja e udhëheqësit terrorist Abu Musab Al-Zarkawi javën e kaluar ishte një goditje e rëndë për Al-Kaidën, por ai shtoi se kjo nuk do t’i japë fund luftës në Irak. Në takimin që po zhvillohet në vend-pushimin presidencial në Kemp Dejvid, pranë Washingtonit, po marin pjesë zyrtarët më të lartë amerikanë dhe me telekonferencë, komandanti i forcave amerikane në Irak, Gjenerali George Casey dhe zyrtarë të qeverisë së re irakiane. Bisedimet do të vazhdojnë edhe nesër. Gjenerali Casey tha dje se në takimin në Kemp Deivid ai nuk do të paraqesë ndonjë plan për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, por se ai shpreson të ketë një pakësim gradual të tyre gjatë muajve të ardhshëm.

Irak: Vriten shtatë kryengritës të al-Kaidës nga një goditje ajrore

Ushtria amerikane në Irak thotë se nga një sulm ajror i forcave të koalicionit pranë qytetit të Bakubës u vrarë sot 7 kryengritës me lidhje me Al-Kaidën dhe dy fëmijë. Ushtria thotë se kryengritësit kishin lidhje me udhëheqës të lartë të Al-Kaidës dhe se janë përpjekur për t’u ardhur në ndihmë luftëtarëve të huaj. Gjeneral-majori William Caldwell konfirmoi se të dy fëmijët, dy djem, njëri 6 muajsh dhe tjetri 4 vjeç, u vranë po ashtu në këtë sulm. Ai tha se vdekja e tyre ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme dhe shtoi se fëmijët ishin me kryengritësit, të cilët po qëllonin ndaj forcave amerikane. Sulmi është më i fundit që kur nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara u vra javën e kaluar udhëheqësi i Al-Kaidës në Irak, Abu Musab al-Zarkawi, pranë Bakubës. Grupi terrorist njoftoi sot me një deklaratë në internet se ka emëruar si udhëheqës të ri të Al-Kaidës, Sheikh Abu Hamza al-Muhajer. Në zhvillime të tjera, 2 makina bombë shkaktuan 5 të vrarë në Balad, në veri të Bagdatit. Po sot, nga shpërthimet e bombave në kryeqytet u vranë 16 veta.

Al-Zarkavi vdiq nga plagët e marra si pasojë e sulmit ajror

Autoritete të ushtrisë amerikane thanë se autopsia e udhëheqësit të Al-Kaidës në Irak Abu Musab al-Zarkavi tregon se plagët dhe vdekja e tij kishin lidhje me shpërthimin e një bombe gjatë sulmit që bëri të mundur vrasjen e tij. Zëdhënës të ushtrisë amerikane në Bagdat thanë sot se ekspertët bënë një autopsi të rrënjësishme të Zarkavit pas vdekjes së tij nga një sulm ajror amerikan javën e kaluar. Kryekirurgu i forcave amerikane në Irak, Koloneli Steve Jones tha se sulmi e plagosi Zarkavin në mushkri dhe kjo shkaktoi vdekjen e tij. Ai tha se nuk ka prova që Zarkavi të ketë pësuar plagë nga rrahje apo armë zjarri. Disa njoftime citojnë dëshmitarë të kenë thënë se forcat amerikane rrahën dhe vranë Zarkavin pas sulmit ajror. Por mjekë amerikanë thanë se ai ishte nën kujdesin e tyre kur vdiq 52 minuta pas sulmit.Ushtria amerikane njoftoi gjithashtu se Zarkavi u identifikua edhe një herë nëpërmjet analizave të ADN-së. Fillimisht ai ishte identifikuar nga shenjat e gishtrinjve. Koloneli Jones tha se këshilltari shpirtëror i Zarkavit Sheiku Abdul-Rahman u vra menjëherë nga sulmi ajror.

XS
SM
MD
LG