Lidhje

Bianku: Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, hapi i parë formal drejt perspektivës evropiane të Shqipërisë


Në një intervistë për "Ditarin", Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe specialist për çështjen e integrimit, Ledi Biankun tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ofron mundësinë për një punë shumë më të qëndrueshme, të përbashkët, bilaterale, midis Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë nga ana tjetër .

Zëri i Amerikës: Tani që Marrëveshja e Asocim Stabilizimit u nënshkrua, natyrshëm lind pyetja, çfarë ndryshon tani në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian?

Ledi Bianku: Së pari, ka një element shumë të rëndësishëm që neve kalojmë në kategorinë e shteteve që hedhin hapin për një marrëveshje speciale, të privilegjuar, pra që është ajo e asocimit, që në rastin tonë konsiderohet si stabilizim-asocimi; ky është hapi i parë formal drejt perspektivës më të vonë edhe të ardhme që ne mezi presim të gjithë, anëtarësimin e plotë. Sidoqoftë, nga pikëpamja e thelbit, kjo marrëveshje ofron mundësinë, së pari, për një punë shumë më të qëndrueshme, të përbashkët, bilaterale, midis Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë nga ana tjetër; çështja është që platformat më të mëdha politike, masat më të mëdha që do të marrim ne në qeverisjen e vendit, tani e tutje, duhet t’i diskutojmë, t’i negociojmë dhe t’i vendosim bashkë me strukturat e BE-së edhe me vendet anëtare; pra, çështja është që neve fillojmë të punojmë dhe të mësojmë tani me ritmin edhe me logjikën e Bashkimit Evropian. Dhe në qoftë se deri tani marrëdhënia ka qenë rekomandim për ligje, tashti marrëdhënia është punë e përbashkët. Dhe puna e përbashkët rregullohet dhe bazohet në një marrëdhënie me karakter juridik, pra ku çdo mosmarrëveshje ne duhet ta zgjidhim mbi bazën e këtyre dispozitave të marrëveshjes.

Zëri i Amerikës: Në komentet e tij, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oli Rehn u shpreh se korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme janë dy probleme që Shqipëria duhet t’i luftojë me të gjithë forcën e saj. Çfarë detyrimesh të tjera ekonomike, politike dhe sociale duhet të plotësojë Shqipëria?

Ledi Bianku: Edhe në konkluzionet që kanë miratuar sot menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, pra në përfundim të takimit të ministrave të jashtëm, këshilli ka vënë në dukje disa pika specifike, ku Republika e Shqipërisë duhet të përqëndrojë vëmendjen e vet; dhe ata fokusohen (unë i kam konkluzionet përpara), në lirinë e medias, në përshpjetimin e procesit të kthimit dhe të kompensimit të pronës, në forcimin e administratës dhe të qeverisjes në Shqipëri, në përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve dhe sidomos në reformën zgjedhore, për zgjedhjet e ardhshme lokale, pra. Gjithashtu, theksohet që, masat që janë marrë, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një element kyç i partneritetit evropian dhe i procesit të Stabizilim Asocimit, duhen vijuar, por duke patur gjithashtu parasysh respektimin për shtetin ligjor dhe respektimin e institucioneve të pavarura.

Zëri i Amerikës: Zoti Bianku, për marrëveshjen është folur kryesisht në rrafsh politik. Edhe nga sondazhet e kryera, duket se ajo perceptohet nga qytetaret shqiptarë më së shumti si një shpresë për lehtësimin e lëvizjes për në vendet evropiane. Por si në çdo marrëveshje edhe në këtë rast janë të përfshira interesat e të dy palëve. Shkurtimisht, cilat do të ishin avantazhet dhe kostot e kësaj marrëveshjeje për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Ledi Bianku: Natyrisht, që për marrëveshjen për integrimin evropian në një farë mase ka edhe keqkuptim edhe në radhët e popullsisë së gjerë në Shqipëri, madje unë mund të them me keqardhje, edhe deri në nivele që merren, ose pretendojnë të merren me këtë punë. Çështja është që dispozitat e kësaj marrëveshjeje duhet të fillojnë dhe të analizohen me shumë kujdes. Thelbi i marrëveshjes, ose ajo pjesë e marrëveshjes që fillon të zbatohet menjëherë dhe që duhet të fillojë normalisht që të prodhojë efektet e veta menjëherë, është aspekti tregtar. Dhe ne duhet të jemi në gjendje që të fillojmë të përfitojmë në mënyrë të menjëhershme nga kjo mundësi e lëvizjes së lirë, sidomos të mallrave, që krijon futjen menjëherë në fuqi e marrëveshjes së ndërmjeme, ose ad-interim. Duke qenë në gjendje që të zbatojë me efektivitet dhe të shihen efektet e zbatimit të kësaj pjese të marrëveshjes, do të jemi në gjendje, që në mënyrë graduale dhe progresive, të arrijmë të sigurojmë edhe efekte të tjera pozitive, që ne në këtë moment i konceptojmë si më të rëndësishmet, siç mund të jetë për shembull, lëvizja e lirë e personave. Por lëvizja e lirë e këtyre personave, në thelb, është më e rëndësishme, në qoftë se do të jetë në formën e lëvizjes së lirë të punëtorëve, pra që do të jenë shqiptarë që do të shkojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të punuar dhe jo thjesht për të shpenzuar paratë që mund të kenë fituar në Shqipëri, ose për të shkuar atje dhe për t’u sjellë në një situatë jo fort të rregullt.

Zëri i Amerikës: Në kushtet kur ka një lloj mosbesimi nga vendet e Bashkimit për një zgjerim të mëtejshmëm të shpejtë, a mendoni se Shqipërisë do t’i duhet një kohë më e gjatë se ajo e vendeve të tjera, si Maqedonia për shembull, për të kaluar në një stad tjetër marrëdhëniesh me Brukselin?

Ledi Bianku: Mendoj që në fazën e marrëdhënieve ku jemi, ne e kemi plotësisht të mundur, që në qoftë se punojmë me ritme të ngjashme me ato të Maqedonisë, që të kapim edhe Maqedoninë në fazën ku ata janë për perspektivën e anëtarësimit me BE. Madje, mund të them, se në situatën ku ndodhet Bashkimi Evropian, pra, ku reformat e brendshme, të cilat i lejojnë edhe anëtarësimin e vendeve të tjera të mëtejshme, pra, përveç Bullgarisë dhe Rumanisë, pra këto reforma janë stopuar për hatër të Kushtetutës, atëhere mund të them që në qoftë se ne punojmë mirë, mund të kapim edhe Kroacinë dhe Turqinë, pasi perspektiva e aderimit të këtyre vendeve, siç duken deklaratat e Oli Rehn dhe të përfaqësuesve të tjerë të BE-së, janë pas 2010-ës. Pra, duhet të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet atje, por gjithësesi, ne duhte të përshpejtojmë ritmin tonë të reformave për t’iu përgjigjur këtyre mundësive që do të na krijohen.

XS
SM
MD
LG