Lidhje

Të reja mjekësore: Sistem imunitar ndaj kancerit; Operacionet bajpas në stomak


Kanceri dhe sistemi imunitar ndaj tij

Këta minj janë të paprekshëm nga doza të larta të qelizave kanceroze. Arsyeja është se organizmi i tyre ka fituar natyrshëm imunitet ndaj kancerit dhe qelizat e tyre të gjakut shërojnë çdo lloj kanceri tek minjtë e zakonshëm. Shkencëtarët pranë universitetit Forest Wake injektuan qeliza të bardha gjaku nga këta minj rezistent ndaj kancerit tek minjtë e prekur nga kanceri dhe vunë re se kanceri i tyre u zhduk plotësisht.

Doktor Zheng Cui thotë se tek minjtë e zakonshëm qelizat kanceroze ndodheshin në fazën më agresive dhe me siguri ata do të kishin ngordhur brenda 2-3 javësh nëse nuk do t’u injektoheshin qelizat e gjakut të minjëve rezistent ndaj kancerit.

Në studimin mbi këtë çështje botuar këto ditë thuhet se shkencëtarët kanë zhvilluar një analizë gjaku që mund të identifikojë minjtë që janë të paprekshëm nga kanceri. Tani shkencëtarët shpresojnë që me një analizë të ngjashme me gjakun e njeriut të jenë në gjendje të identifikojnë edhe njerëzit që janë të paprekshëm nga kanceri.

Doktor Zheng thotë se nëqoftëse analiza del me sukses për të identifikuar njerëzit rezistent ndaj kancerit, atëherë një transfuzion gjaku ose i qelizave të bardha nga këta njerëz tek personat e sëmurë nga kanceri, do të sillte shërimin e tyre të plotë.

Por Xhill O'Donell-Tormi e institutit të kërkimeve në fushën e kancerit, thotë se me rendësi është që fillimisht të kuptohen bazat gjenetike dhe biologjike të qelizave që shërojnë kancerin, pra të kuptohet se ç’gjë e veçantë ka ndodhur në procesin gjenetik që e bën organizmin e tyre të imunizuar ndaj kancerit.

Ajo thotë sipas disa treguesve, një mekanizëm i ngjashëm që ekziston tek minjtë e paprekshëm nga kanceri mund të jetë i pranishëm edhe tek njerëzit. Megjithatë kjo mbetet një pyetje, përgjigje e saktë e së cilës kërkon punë të mëtejshme në laborator.

Operacioni bajpas në stomak kundër mbipeshës

Një studim i kohëve të fundit vë në duke se numri operacioneve të stomakut në Shtetet e Bashkuara ka ardhur duke u rritur, ndërsa shumë amerikanë parapëlqejnë thikën e kirurgut për të dale fitues në luftën kundër mbipeshës.

Një vëzhgim i kartelave spitalore nga viti 1998 deri në vitin 2002, tregon se numri i operacioneve të njohur gjithashtu si bajpass në stomak është rritur 600 përqind në krahasim me vitin 1990.

Në vitin 2002, më shumë se 14 mijë amerikanë hynë në sallat e operimit për të rënë nga pesha, dhe llogaritet që dhjetra mijëra vetë do t’i nënshrohen këtij lloj operacioni gjatë vitit 2006.

Operacioni shpesh kryhet për të trajtuar mbipeshën ekstreme, pra kur njeriu është të paktën 30 kilogram mbi peshën normale.

Për shtimin e kësaj procedure mendohet se ndikojnë disa faktorë, përfshi shtimin e rasteve të mbipeshës, përparimin e teknikave kirurgjike, pakësimin e rrezikut për jetën gjatë operimit dhe suksesin afatgjatë të kësaj praktike.

Ekspertët thonë se operimi për të rënë nga pesha nuk duhet të merret me mendjelehtësi dhe duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit kur shëndeti i personit është në rrezik si pasojë e mbipeshës.

XS
SM
MD
LG