Lidhje

Ligjvënësi Engel: Unë e them me krenari se e mbështes pavarësinë e Kosovës


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, përkrahës i vendosur i pavarësisë së Kosovës, pësëriti edhe një herë sot në një konferencë shtypi, qendrimin e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Zoti Engel shprehu indinjatën e tij për një deklaratë të Këshillit Amerikan për Kosovën, që i lidh qytetarët e Kosovës me terrorisët. Këshilli Amerikan për Kosovën është një grup lobist që u shërben interesave të Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën dhe Metohinë, i cili e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Deklarata u botua në formën e reklamës në gazetën e pavarur, Roll Koll, që financohet nga “Ekonomist” e Londrës.

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, shprehu edhe me këtë rast mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës si e vetmja zgjidhje e drejtë për statusin e saj përfundimtar. Ai theksoi përsëri se shqiptarët janë një popull laik, me prirje shumë perëndimore dhe populli më pro amerikan në botë.

Ligjvënësi Engel shprehu indinjatë të thellë për një reklamë të botuar më 8 qershor në gazetën Roll Koll, në të cilën bëhet thirrje që të mos njihet pavarësia e Kosovës. Në këtë reklamë shqiptarët cilësohen si terroristë, krahasohen me Talebanin e Osama Bin Ladenin, dhe me Iranin. Zoti Engel e kundrshtoi fuqimisht këtë karakterizim:

“Nuk ka asnjë lidhje mes kosovarëve dhe terroristëve, dhe aq më pak lidhje të tyre me Osama bin Ladenin, al-Kaidën apo Iranin, siç thuhet në këtë reklamë indinjuese”.- tha ai.

Ligjvënësi Engel i bëri thirrje gazetës Roll Koll të kërkojë të falur për botimin e reklamës. Ai tha se gazeta të njohura dhe të përgjegjshme nuk duhet të botojnë materiale propagandistike të mbushura me urrjetje.

“Unë e them me krenari se e mbështes pavarësinë e Kosovës. Çdo kush ka të drejtë të mbajë qendrim të ndryshëm ndaj statusit përfundimtar të Kosovës, por deklaratat e mbushura me paragjykime dhe ofendime nuk janë të lejueshme për një gazetë te respektuar”.- tha ai.

Zoti Engel tha se Këshilli Amerikan për Kosovën po përhap gënjeshtra që mund të kenë pasoja të rënda për popullin e Kosovës, mund të kushtojnë jetë njerëzish dhe të dëmtojnë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me një nga aleatët e tyre më besnikë në luftën kundër terrorit. "Ne si anëtarë të Kongresit nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë", tha ligjvënësi Eliot Engel.

Ndërsa ligjvënësi Joseph Crowley, që po ashtu mbështet pavarësinë e Kosovës, shprehet në një deklaratë me shkrim se "reklama në fjalë, që u botua javën e kaluar kundër pavarësisë së Kosovës, i kapërcen kufijtë e shprehjes së një opinioni, ajo mbjell urrejtje. "Unë mbështes ligjvënësin Eliot Engel", thotë ai, "dhe dënoj karakterizimin pa të drejtë të popullit të Kosovës, si një popull që ka lidhje me terrorizmin".

Në konferencën e shtypit bëri një deklaratë kundër reklamës së gazetës Roll Call edhe Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar shqiptaropamerikan, Avni Mustafaj.

Reklama, që mbush një faqe gazete, mban titullin "Talebani dje, Kosova nesër. A do me të vërtetë Amerika një shtet të përgjegjshëm këtë herë në Evropë?"

XS
SM
MD
LG