Lidhje

Bush: Korrupsioni pengon objektivat e zhvillimit në vendet e varfëra


Presidenti Bush tha se vendet e pasura dhuruese duhet të përballen me problemin e korrupsionit qeveritar në vendet në zhvillim.

Duke folur sot gjatë takimit të një organizate të sektorit privat, që lufton kundër varfërisë, Presidenti Bush tha se detyrimi i vendeve të varfëra, për t’i shpenzuar ashtu si duhet ndihmat për zhvillim, do të ishte një kontribut i madh në luftën kundër varfërisë.

Presidenti përmendi si shembull mënyrën e dhënies së ndihmave nga Llogaria e Sfidave të Mijëvjeçarit, një nismë globale për të përmirësuar nivelin e jetesës në botë. Ai tha se vendet marrëse duhet të provojnë se investojnë realisht në sistemin e kujdesit shëndetësor, se shtrijnë më gjerë në shoqëri parimet demokratike dhe punojnë për të zgjeruar ekonominë e tregut.

Presidenti po ashtu i bëri thirrje Kongresit të miratojë fondet e duhura për programin për ndihmat e jashtme, përfshirë nismat për të luftuar Sidën dhe malarjen. Presidenti tha se vendet e pasura kanë përgjegjësi morale për të ndihmuar vendet e varfëra të zhvillohen. Mosmiratimi i fondeve për këto programe ndihmash, tha ai, dëmton sigurinë e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se ideologjitë ekstreme përhapen më lehtë mes individëve që nuk shohin mundësi përparimi. //rd//

XS
SM
MD
LG