Lidhje

SHBA: Ekspertët shprehin shqetësimin për mungesën e përparimit në bisedimet për Kosovën


Komisioni amerikan i Helsinkit, zhvilloi dje një seancë mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe integrimin e vendeve të Evropës Jugore dhe Qendrore. Anëtarë të Kongresit, zyrtarë dhe ekspertë folën për rëndësinë që kanë reformat që do të çonin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-Atlantike dhe shprehën shqetësimin për mungesën e përparimit në bisedimet për Kosovën, të cilën e cilësuan si çështjen e vetme madhore që ka mbetur pa zgjidhur në Ballkan.

Zyrtari i Institutit të Paqes, Daniel Serwer, tha se edhe pas 6 raunde bisedimesh në Vjenë mes shqiptarëve dhe serbëve, Beogradi ende nuk po mban qëndrime konstruktive. Kryeministri Vojislav Kostunica, tha ai, ndoshta shpreson për një ndarje të Kosovës.

“Koshtunica nuk është shkëputur dot nga e kaluara dhe Serbia vazhdon të këmbëngulë në ruajtjen e autoritetin qeverisës mbi serbët e Kosovës në një territor të përcaktuar qartë. Ndoshta mund të mos bëhet fjalë për ndarje, por është shumë e ngjashme, për t’u shpërfillur. Një ndarje e tillë sipas përkatësisë etnike do të krijonte një precedent që shqiptarët do të kërkonin ta ndiqnin në Serbinë Jugore dhe në Maqedoni”.

Ndërsa analisti tjetër, Janusz Bugajski, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se ndarja mund të ishte një zgjidhje legjitime për të mbrojtur pakicën serbe, por vetëm në se ndarja do të arrihej pas disa kushtesh shumë rrepta.

“Ndarja nuk do të ishte ndonjë tragjedi vetëm po të bëhej nën tre kushte: I pari që Prishtina dhe Beogradi ta njohin njëri-tjetrin si shtete të pavarura, e dyta që negociatat për çdo lloj ndryshimi territorial të bëheshin mes dy qeverive dhe së treti që komuniteti ndërkombëtar të ishte i angazhuar në lëvizjet e mundshme të popullsisë”.

Zoti Serwer e quajti dështimin e institucioneve të Kosovës për të siguruar kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre si pengesën kryesore për përcaktimin e statusit përfundimtar.

Uashingtoni dhe komuniteti ndërkombëtar janë shprehur kundër ndarjes si një zgjidhje e mundshme për Kosovë. Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit Rosemary Di Carlo, që dëshmoi gjatë seancës, theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pakicave është në thelb të politikës së Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

“Marrëveshja duhet të garantojë një Kosovë shumëetnike, duhet të sigurojë garancitë kushtetuese dhe mekanizmat e nevojshëm për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës në qeverisje”.

Edhe bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, Chris Smith foli për nevojën e hapave të mëtejshme për përmirësimin e gjendjes së pakicave në Kosovë.

“I përshëndes gjestet e fundit pozitive të udhëheqjes të Kosovës, që ka dhënë shenja të vullnetit për krijimin e kushteve për serbët e Kosovës, romët dhe pakicat e tjera. Tani ka ardhur koha që këto gjeste të kthehen në hapa konkrete”.

Ai u bëri gjithashtu thirrje serbëve të Kosovës që të angazhohen për rezultatet më të mira për familjet e tyre, si edhe Beogradit që të luajë një rol konstruktiv.

Negociatorët e Kombeve të Bashkuara e pranojnë se mund të mos jenë në gjendje që t’i bindit shqiptarët dhe serbët të bien dakord për të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG