Njeriu që ndërtoi kompaninë më të madhe në botë për komjuterat thotë se do të largohet gradualisht nga roli i tij i përditshëm drejtues për t’u përqëndruar më shumë në organizatën e tij bamirëse ndërkombëtare.
Bill Gates, themeluesi i Microsoftit dhe personi më i pasur në botë, njoftoi se do të heqë dorë nga përgjegjësitë e tij për gjigandin e kompjuterave gjatë një periudhe tranzicioni dy vjeçare. Ai tha megjithatë se do të vazhdojë të jetë drejtuesi dhe aksioneri më i madh i kompanisë së tij.
Gates bashkëthemeloi dhe fuqizoi kompaninë e komjuterave në një forcë globale në teknologji. Programi Windows i Microsoftit prëdoret në gati 90 përqind të kompjuterave në mbarë botën.
Programuesi 50 vjeçar dhe bashkëshortja e tij Melinda, krijuan Fondacionin Gates i cili punon për të zgjidhur probleme madhore në botë, përfshi varfërinë dhe shërbimin shëndetësor për të varfërit. Fondacioni është tani filantropia më e madhe në botë me një vlerë prej 29 miliardë dollarë.