Lidhje

Irak: Kryengritësit vazhdojnë sulmet


Zyrtarë irakianë të sigurimit thanë se kryengritësit kryen sot një seri sulmesh vdekjeprurëse në Bagdat, megjithë operacionet e gjera të trupave amerikane dhe forcave irakiane të sigurimit për t’u dhënë fund akteve të tilla të dhunës.

Policia njoftoi se të paktën 35 veta humbën jetën në sulmet e kryera në kryeqytet dhe përreth tij. Shumë të tjerë u plagosën. Në sulmin më vdekjeprurës, nga shpërthimi i dy makinave bombë humbën jetën të paktën 17 veta. Sulme të mëparshme në 2 tregje plot me njerëz shkaktuan të paktën 6 të vrarë.

Sulmet u kryen megjithë dislokimin e dhjetra mijëra trupave irakiane dhe amerikane në Bagdat. Ata janë pjesë e një operacioni të gjera të sigurimit për t’u dhënë fund akteve të dhunës, për të cilin dha urdhër kryeministri irakian Nuri al-Maliki të mërkurën. Dje, një grup që ka lidhje me al-Kaidën në Irak tha se kryengritja nuk do të dobësohet, megjithë vdekjen javën e kaluar të udhëheqësit të saj, Abu Musab al-Zarkavi.//rd//

XS
SM
MD
LG