Lidhje

Zanafilla e Ditës së Baballarëve


Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet e pakta të botës, që kanë caktuar një ditë të veçantë, si festë zyrtare për të nderuar baballarët. Është një ditë e veçantë, kur fëmijët u japin dhurata baballarëve, ose u bëjnë darkë të veçantë, ose organizojnë diçka tjetër, për t’i bërë ata të ndjehen të veçantë atë ditë. Por zanafilla e kësaj dite nuk dihet me siguri: disa thonë se është thjesht çështje komercializmi; të tjerë thonë se kjo ditë i ka fillimet nga një arsye shumë më fisnike. Por sidoqë të ketë filluar, dita e baballarëve këtë vit festohet më 18 qershor.

Të qënit baba është një përgjegjësi e madhe dhe në të njëjtën kohë, është edhe një gëzim i madh. Që nga momenti kur u lindin fëmijë baballarët ndjejnë përgjegjësinë për t’u bërë drejtuesit, mbrojtësit, siguruesit e jetesës dhe shokë për fëmijët e tyre. Por askush nuk është i sigurtë me saktësi se si ka filluar të festohet kjo ditë e veçantë për baballarët.

Megjithëse ka skeptikë, të cilët mendojnë se Dita e Baballarëve filloi thjesht për të promovuar interesa të veçanta komerciale, si për shembull shitja e kartolinave, apo e dhuratave, ka të tjerë, të cilët thonë se kjo festë filloi me një shërbim kishëtar në Virxhinan Perëndimore, në vitin 1908.

Të tjerë thonë se ka filluar një vit më vonë dhe se ishte ide e një gruaje nga shteti i Washingtonit. Ajo donte të nderonte babain e saj që kishte rritur 6 fëmijë i vetëm, pasi gruaja i kishte vdekur gjatë lindjes. Por sidoqoftë, Dita e Babait filloi të festohet si festë zyrtare në vitin 1966, kur Presidenti Lyndon Johnson e shpalli atë festë zyrtare, për t’u shënuar të dielën e tretë të qeshorit.

"Mendoj se është e rëndësishme të pranojmë publikisht marrëdhënien që kemi me baballarët tanë". Jacqueline Coffman, profesoreshë për studimet familjare në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, thotë se caktimi i një dite në Amerikë për të nderuar baballarët ishte diçka e rëndësishme. "Mendoj se në kushtet kur jemi tepër të zënë me punët e përditshme, ne harrojmë dhe nuk i kushtojmë rëndësinë e duhur që t’u tregojmë njerëzve të cilët janë të rëndësishëm në jetën tonë, se sa e vlerësojmë ndikimin që kanë patur në jetën tonë dhe sakrificat që kanë bërë për të na ndihmuar të bëhemi këta që jemi sot. Prandaj, këtë ditë ne e shfrytëzojmë për t’u shprehur baballarëve ndjenjat dhe vlerësimin tonë dhe kjo është e rëndësishme", thotë zonja Koffman.

Zonja Koffman mendon se ngaqë Amerika është një vend i imigrantëve që vijnë nga kultura të ndryshme, kjo ka ndikuar edhe tek karakteristikat e baballarëve amerikanë. Ajo thotë se është shumë e rëndësishme përfshirja e baballarëve në jetën e fëmijëvë.

Në fillim të shekullit të 20-të, baballarët amerikanë ishin të vetmit që siguronin jetën e familjes, dhe mënyra e vetme për t’u takuar me fëmijët e tyre ishte në kohën e darkës. Por zonja Coffman thotë se gradualisht, ky zakon ndryshoi dhe me kalimin e kohës, baballarët amerikanë tani përpiqen të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre. Sot, me rritjen e numrit të nënave dhe baballarëve që e ndajnë mes tyre rolin si prindër, ata shpeshherë i rregullojnë orët e punës në mënyrë të tillë, që të paktën njeri prej tyre të jetë me fëmijët. Dhe ashtu sikurse nënat nderohet Ditën e Nënës, në muajin maj, Dita e Babait, kjo ditë e veçantë, festohet më 18 qershor: Gëzuar Ditën e Baballarëve! //rd//

XS
SM
MD
LG