Lidhje

Presidenti Bush thekson rëndësinë e dialogut në negociatat për statusin e Kosovës


Presidenti Bush theksoi rëndësinë e dialogut në përpjekjet për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Në komentet që bëri në një tryezë të rrumbullakët me studentë të huaj në Vjenë, Presidenti Bush theksoi rëndësinë e një zgjidhjeje që do të përmbushë nevojat e shumicës së banorëve të Kosovës, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët evropianë për t’i sjellë Kosovës qëndrueshmëri. Presidenti Bush tha se gjatë vizitës së kryeministrit serb në Shtetet e Bashkuara, ai do t’i bëjë thirrje zotit Koshtunica të njohë nevojat e shumicës shqiptare në Kosovë, në shkëmbim për garanci që të drejtat e pakicës serbe do të respektohen.

Para tryezës së rrumbullakët, Presidenti i diskutoi çështjet ballkanike edhe në takimin me Kancelarin austriak Wolfgang Schuessel. Presidenti Bush dhe Kancelari austriak shprehën angazhimin për të mbështetur integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në Evropë. Në komentet e tij, Presidenti Bush theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin udhëheqës që ka marrë Bashkimi Evropian në zhvillimet e Ballkanit. "Diskutuam edhe mbi Ballkanin dhe unë e sigurova kancelarin se roli i Austrisë dhe i Bashkimit Evropian në Ballkan është thelbësor dhe ne mirëpresim mundësinë për ta mbështetur këtë rol. Me pak fjalë, Bashkimi Evropian, veçanërisht nën udhëheqjen e Kancelarit Schussel ka në duar udhëheqjen për zhvillimet ballkanike. Ne duam të jemi pjesëmarrës në përpjekjet për të ndihmuar për t’i sjellë stabilitet këtij rajoni."

Presidenti shtoi se roli udhëheqës i Bashkimit do të shërbejë edhe si nxitje për demokratizimin e rajonit. "Mendoj se Bashkimi Evropian është një pjesë jetike e zgjidhjes së problemeve në Ballkan, pasi, në fund të fundit aspiratat për antarësim në Bashkimin Evropian i nxisin njerëzit të përqafojnë qëndrimet e nevojshme për vendosjen e demokracisë dhe paqes. Prandaj edhe e mbështesim rolin e Bashkimit dhe i përshëndesim përpjekjet tuaja, zoti Kancelar," tha Presidenti Bush.

Nga ana e tij Kancelari Austriak theksoi se në takimin me Presidentin Bush, i kishte parashtruar ndër të tjera edhe përpjekjet që po bën konkretisht Bashkimi për ta integruar më tej Ballkanin në strukturat evropiane: "Lidhur me Ballkanin, e informuam Presidentin Bush mbi strategjinë evropiane. Kemi hapur negociatat me Kroacinë. Maqedonia është kandidate. Kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Shqipërinë. Ndërkaq, Mali i Zi ka shpallur pavarësinë, Bosnja po integrohet dhe vazhdojmë bisedimet pozitive me Serbinë".

Por Kancelari Schusel thekson se në Ballkan ka ende çështje të hapura të cilat i diskutoi në hollësi në bisedimet me Presidentin Bush. "Lidhur me Kosovën, vazhdojnë negociatat nën udhëheqjen e Marti Ahtisarit dhe Albert Rohan të cilat po zhvillohen në Vjenë. Zyra e zotit Ahtisari ndodhet këtu, dhe ne po bëjnë sa të mundemi për të ndihmuar procesin," tha Kancelari austriak Wolfgang Schuessel. //ad//

XS
SM
MD
LG