Lidhje

Presidenti Bush komenton për Iranin dhe për Korenë e Veriut


"Fuqitë e mëdha duhet të paraqesin një front të përbashkët për ta bindur Iranin të heqë dorë nga ambiciet bërthamore"

Presidenti Bush tha se fuqitë më të mëdha të botës janë të bashkuara në qëllimin për të ndalur Iranin të zhvillojë armë bërthamore. Zoti Bush tha se këto fuqi duhet të paraqesin tani një front të përbashkët diplomatik për të bindur Iranin të heqë dorë nga ambicjet e tij bërthamore. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin pjesë në bisedimet ndërkombëtare mbi këtë çështje në se Irani ndërpret fillimisht pasurimin e uraniumit.

Presidenti i bëri komentet sot në Vienë, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian. Zoti Bush tha gjithashtu se plani i Iranit për t'u përgjigjur në fund të gushtit ndaj ofertës së stimujve të Perëndimit është një kohë e gjatë për të pritur për përgjigje. Ai tha se Iranit nuk ka pse t'i duhet kaq shumë kohë për të analizuar atë që ai e quajti një marrëveshje të kënaqëshme

"Koreja e Veriut do të përballet me izolimin e mëtejshëm në botë, në se vendos të zhvillojë prova me raketa"

Presidenti Bush tha se shpreson që Koreja e Veriut të veprojë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, që ndalojnë provat me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Ai tha se Koreja e Veriut do të përballet me izolimin e mëtejshëm në botë, në se vendos të zhvillojë prova me raketa. Po sot, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me aleatët e tyre në Azi për ta bindur Korenë e Veriut se kjo nuk është mënyra për zhvillimin e politikës.

Po sot, ish-presidenti jugkorean Kim Dae-jung e anuloi vizitën për në Korenë e Veriut, për shkak të shqetësimeve ndërkombëtare se ky vend komunist mund të jetë duke u përgatitur për hedhjen e një rakete me rreze të gjatë veprimi. Pheniani thotë se ka të drejtën për prova dhe për të ndërtuar raketa balistike, por nuk ka bërë komente lidhur me çështjen e hedhjes së raketave.//lk

XS
SM
MD
LG