Lidhje

Eliot Engel: Çdo shtyrje e përcaktimit të statusit të Kosovës përtej këtij viti do të ndikonte negativisht në Kosovë e në rajon.


Anëtari i Dhomës së Përfaqësueve të Kongresit, Eliot Engel thotë se objektivi i grupit të ligjvënësve amerikanë për çeshtjet shqiptare është që statusi i Kosovës të përcaktohet para fundit të këtij viti dhe se çdo shtyrje përtej këtij afati do të ndikonte negativisht në Kosovë e në rajon. Zoti Engel i bëri këto komente mbrëmë, gjatë nje pritje ne nje nga mjediset e Kongresit, per nder te kryeministrit Agim Çekut. Kjo pritje u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan. Kryeministri Agim Çeku, për të cilin kjo është vizita e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, u shpreh i kënaqur për takimet që ai i cilësoi të suksesëshme, si dhe për pritjen e organizuar nga shqiptarët e Amerikës.

Ndërsa ligjvënësi Eliot Engel tha se vizita dhe takimet e kësaj jave në Uashinngton të delegacionit të nivelit të lartë nga Kosova, veç të tjerash bëri që veprimet e tyre të sinkronizohen me ato të zyrtarëve e ligjvënësve amerikane rreth kësaj çështjeje. Ligjvënësi i njohur nga Nju Jorku tha se shqiptarët e Kosovës prej vitesh dhe me të drejtë janë ushqyer me dëshirën për pavaresi dhe kjo ka bërë që shumë prej tyre sot të mendojnë se pavarësia është e sigurt.

“Por në anglisht ekziston shprehja se pa u bërë fakt i kryer asgjë nuk mund të quhet e përfunduar. Pra megjithese pavarësia është shumë pranë, ajo nuk është arritur. Për këtë duhet të punojnë të gjithë; qeveria e populli i Kosovës, zyrtarët e zgjedhur dhe politikanët në menyrë që procesi i negociatave të perparojë. Por në se bisedimet dështojnë, atëherë komuniteti ndërkombëtar duhet të imponojë një zgjidhje.”

Ligjvënësi Engel mendon se mos përcaktimi i statusit brenda ketij viti do t'i hapte rrugen zvarritjes së çështjes ndoshta për shumë vite dhe kjo do t'i ishte një katastrofë për Kosovën e për rajonin, thotë ligjvënësi Engel.

Kurse analisti Xhejms Huper thote se ndërsa pavarësia për Kosove është shume e rëndësishme, çfarë lloj pavaresie duhet të jetë ajo, e plotë apo e brishtë, kjo është edhe më e rëndësishme.

“Nëse Kosova dëshiron një pavarësi të vërtetë, grupi negociator i Kosovës duhet t’a kërkojë atë me kembengulje e pa frikë nga ndërkombëtarët. Dhe pavarësia e vërtetë përfshin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, fuqi të plotë qeverisëse, asnjë humbje të territorit dhe kufijtë të pandryshueshëm.”

Analisti Huper thotë se lloji i pavarësisë varet nga aftësia, vullneti dhe qëndrimi i grupit negociator të Kosovës.

Të njëjtin mendim shpreh edhe veprimtari i njohur shqiptaro amerikan Harri Bajraktari. Por ai shton se sigurimi i pavarësisë së plotë të Kosovës është një punë jo vetëm e grupit negociues por e të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Pritja mbrëmë u zhvillua në një nga mjediset e Kongresit dhe u organizua nga këshilli kombëtar shqiptaro amerikan, me qendër në Uashington. Drejtori ekzekutiv Avni Mustafa thotë se ky këshill u kujdes që delegacioni i nivelit te larte nga Kosova të zhvillonte sa më shumë takime pune e njohëse me zyrtarë të lartë e ligjvënës amerikanë.

Në pritjen për nder të kryeministrit të Kosovës, morrën pjesë zyrtarë të departamentit të Shtetit, përfshi, Rozmari di Karlo, zv/ndihmëse e sekretares Kondoliza Rajs, si dhe ligjvënës, antarë të personelit të tyre e të ftuar të tjerë. I pranishëm ndodhej edhe ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Sallabanda.

XS
SM
MD
LG