Lidhje

SHBA: Dalin në gjyq gjashtë nga të akuzuarit për komplot


Gjashtë nga shtatë të akuzuarit për komplot se do të hidhnin në erë Kullën Sears në Chicago dhe ndërtesa të tjera në Shtetet e Bashkuara dolën në gjyq dje.

Një aktakuzë federale thoshte se të dyshuarit kishin formuar një bazë terroriste në Miami dhe planifikonin sulme terroriste me një agjent sekret të FBI-së i shfaqur si anëtar i al-Kaidës.

Pesë nga të dyshuarit, duke përfshirë udhëheqësin e rrjetit Narsele Batiste, dolën para një gjykatësi në Miami, dhe një tjetër doli në Atlanta pasi u arrestua atje.

Një i dyshuar i shtatë ndodhej në paraburgim kur të tjerët u arrestuan të enjten dhe nuk doli në gjyq dje. Pesë nga të dyshuarit janë shtetas amerikanë, një banor i përhershëm i Shteteve të Bashkuara me origjinë nga Haiti, dhe një imigrant i paligjshëm haitian.

Zëvendës-drejtori i FBI-së John Pistole tha se komploti ishte “më shumë një plan që nuk ishte realizuar praktikisht,” por tregon qartë kërcënimin që paraqesin grupet terroriste me origjinë në vend ndaj Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë arrestuan shtatë persona në lidhje me atë që zyrtarët e administratës Bush thonë se ishte komplot terrorist që po planifikohej brenda vendit dhe i cili kishte në shenjestër ndërtesa në Miami dhe Chicago.

Prokurori i përgjithshëm Alberto Gonzales tha në një konferencë për shtyp se shtatë burrat që akuzoheshin se ishin të përfshirë në një komplot terrorist donin të ndihmonin al-Kaidën të hidhte në erë Kullën Sears në Chicago, ndërtesa më e lartë e qytetit dhe ndërtesa qeveritare në zonën e Miamit.

“Këta terroristë donin të bënin siç është cituar ‘një luftë në tokën amerikane.’ Ky citim vjen nga hetimet e këtyre individëve, të cilët kishin shprehur dëshirën të vrisnin “sa më shumë djaj të jetë e mundur.” Ata shpresonin që sulmet e tyre të ishin “po aq të suksesshme ose edhe më shumë se ato të 11 shtatorit.”

Zoti Gonzales thotë se agjentët e qeverisë morën informacion se terroristët e akuzuar kërkonin ndihmë nga al-Kaida. Kështu që një punonjës i qeverisë duke u shfaqur si operativ i al-Kaidës u takua me grupin dhe u ofroi ndihmë.

“Hapat që do të ndërmerrnin ata përfshinin gjetjen e uniformave dhe armëve, të kryenin shërbime zbulimi dhe të bënin betimin e besnikërisë ndaj al-Kaidës. Ne e dimë këtë se një person që ata mendonin se i përkiste al-Kaidës ishte i pranishëm në takimet e tyre. Ndërkohë që ky person punonte me një Njësi Anti-Terroriste të Floridas jugore.”

Zoti Gonzales e përshkroi komplotin si shembull terrorizmi me origjinë brenda vendit. Ndaj shtatë burrave u ngritën akuzat nga juria për katër vepra komploti të cilat i akuzojnë ato për përpjekje për të komplotuar me al-Kaidën, për mbledhjen e materialeve për të ndihmuar terroristët dhe për të luftuar kundër Shteteve të Bashkuara.

Pesë nga të akuzuarit janë shtetas amerikanë. Njëri është banor i ligjshëm nga Haiti, ndërsa tjetri banor i paligjshëm nga Haiti. Prokurori i përgjithshëm Gonzales thotë se burrat ishin frymëzuar nga një mesazh i dhunshëm xhihadist.

Një burrë nga Miami i cili tha se i njihte të dyshuarit tha për një stacion televiziv se ata nuk ishin terroristë por i përkisnin një grupi fetar të quajtur Detet e Davidit dhe studionin Biblën kristiane.

Prokurori i përgjithshëm Gonzales thotë se shtatë të akuzuarit nuk arritën më shumë se tek fazat e planifikimit për sulmet në Chicago dhe Miami. Ai thotë gjithashtu se ata nuk kishin gjetur ende armë dhe lëndë plasëse, dhe as nuk kishin kontaktuar me al-Kaidën.

Shumica e të akuzuarve dolën në gjyq dje, dhe do të bëjnë deklaratën e tyre të fajësisë apo pafajësisë më vonë. Nëse dënohen për veprat e komplotit, ata mund të vuajnë dënime të gjata me burg.

XS
SM
MD
LG