Lidhje

Zyrtarët amerikanë komentojnë për arrestimet e terroristëve


Zyrtarë të qeverisë amerikane thonë se arrestimi i shtatë personave të dyshuar si terroristë në Majemi të Floridës përfaqëson një hap përpara në luftën kundër terrorit. Por zyrtarët thonë gjithashtu se zbulimi nga mediat i një programi të fshehtë të qeverisë për vëzhgimin e bankave ishte një hap i gabuar.

Zyrtarët e antikrimit thonë se arrestimet u bënë pas depërtimit në grupin e shtatë personave të dyshuar si terroristë të një informatori që qeverisë i cili hiqej si anëtar i al-Kaidës. Sipas zyrtarëve, arrestimi i tyre bëri të dështonte një komplot në fazat e hershme për të hedhur në erë disa ndërtesa federale në Majemi si dhe ndërtesën më të lartë të vendit, kullën Siërs në Çikago.

Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales tha se të dyshuarit, pesë prej tyre shtetas amerikanë, përfaqësojnë një lloj të ri terrorizmi vendas, që bëhet i mundur nga bashkimi i globalizimit dhe i teknologjisë. "Sot, kërcënimet terroriste mund të vijnë nga celula më të vogla dhe më pak të qarta që nuk lidhen me al-Kaidën por që frymëzohen nga një mesazh i dhunshëm xhihadist. Nëse lihen jashtë kontrollit, këta terroristë vendas mund të bëhen po aq të rrezikshëm sa edhe al-Kaida", tha kryeprokurori.

Gonzales tha se sulmet e fundit terroriste në Madrid dhe Londër si dhe arrestimi i personave të dyshuar për terrorizëm në Toronto flasin për sfidat që përbëjnë terroristët vendas të cilët jetojnë në zonat ku ata synojnë të sulmojnë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Xhon Snou, kritikoi disa gazeta të mëdha amerikane për nxjerrjen e një programi të fshehtë të qeverisë që analizon të dhënat bankare globale për të zbuluar transferimin e parave nga ana e terroristëve. Artikujt e gazetave thoshin se administrata nuk kishte kërkuar leje nga bankat për të marrë informacionin.

Sipas zotit Snou, Kongresi ishte informuar për këtë çështje dhe se ky program nuk shkelte të drejtat e jetës private të qytetarëve: "Duke ndjekur transferimet e parave ne kemi arritur të gjejmë operativët, financuesit e tyre dhe rrjetet terroriste si dhe t’i nxjerrim terroristët para drejtësisë. Dhe duke bërë këtë, ne natyrisht kemi shpëtuar jetë njerëzish."

Sekretari Snou thotë se nxjerrja e këtij programi nga mediat mund të verë në rrezik një mjet të rëndësishëm kundër terrorizmit. Kritikët janë të shqetësuar se zotërimi nga qeveria i të dhënave bankare u hap derën shkeljeve të mundëshme të lirive civile të amerikanëve. //rd//

XS
SM
MD
LG