Lidhje

Një miliarder amerikan vendos të japë pjesën më të madhe të pasurisë së tij për bamirësi


Njeriu i dytë më i pasur i Shteteve të Bashkuara Warren Buffet bëri të ditur se ka në plan t’i japë 85 për qind të pasurisë së tij pesë fondacioneve. Pjesa më e madhe do t’i jepet Fondacionit Bill dhe Melinda Gates.

Në një letër publikuar dje Buffet thoshte se e admironte punën e fondacionit Gates dhe do që t’i japë mundësi të zgjerojë aktivitetin e tij.

Buffet tha se do të akordonte 10 milionë aksione të kompanisë së tij të investimeve Berkshire Hathaway. Aksionet e kësaj kompanie kapin aktualisht vlerën e 30 miliardë dollarëve. Shuma do t’i jepet fondacionit me këste vjetore.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates punon për të zgjidhur disa nga problemet më të mëdha të botës, përfshirë varfërinë dhe kujdesin shëndetësor për të varfrit.

Në një deklaratë të fondacionit nënshkruar nga Bill dhe Melinda Gates thuhej se Buffett kishte pasur një efekt të jashtëzakonshëm në veprimtaritë e tyre bamirëse dhe thonë se ishin të mrekulluar nga dhurata e tij.

Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoftit është njeriu më i pasur i botës.

XS
SM
MD
LG