Lidhje

Ekspertët shprehin shqetësim rreth rrezikut për përsëritjen e dhunës në Kosovë


Ndërsa bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës vazhdojnë prej disa muajsh me radhë, kanë filluar të ngrihen pikpyetje lidhur me qytetin e ndarë të Mitrovicës. Çështja e Mitrovicës do të jetë një prej provave më të vështira në ruajtjen e territorit të Kosovës dhe shoqërisë së saj shumë etnike.

Në diskutimin e organizuar në Institutin Amerikan të Paqes mbi të ardhmen e Mitrovicës, pjesëmarrësit folën për çështje të ndryshme si për shmbull a do të ruajë Kosova kufijtë e tanishëm, apo do të ndahet; a është komuniteti ndërkombëtar i gatshëm ta bashkojë qytetin e Mitrovicës dhe si mund të arrihet kjo më së miri.

Administratori i Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë, Gerard Gallucci, parashikon probleme gjatë dy muajve të ardhshëm ndërkohë që Kosova shkon drejt pavarësisë së mundëshme. Zoti Gallucci thotë se forcat e OKB-së dhe të NATO-s do të mbrojnë popullatën në rast se krijohen probleme. Po që prej emërimit në detyrë para rreth një viti, zotin Galluci e shqetëson gjendja ekonomike, jo vetëm në Mitrovicë, por në mbarë Kosovën.

“Problemet ekonomike ekzistojnë në gjithë Kosovën, dhe jo vetëm në Mitrovicë. Nevoja për investime në infrastrukturë në Kosovë është shumë e madhe, si në sektorin e energjisë elektrike, të furnizimit me ujë e të tjera. Është e drejtë të thuhet se komuniteti ndërkombëtar ka humbur 7 vjet në këtë drejtim, veçanërisht në veri, ku komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e Grupit të Kontaktit nuk i kanë kushtuar asnjë vëmendje.”

Administratori i OKB-së në Mitrovicë tha se misioni i tij do të ruajë komandën dhe kontrollin në terren dhe të mbajë të hapura linjat e dialogut për të mos lejuar shpërthimin e situatës.

Hans Binendijk, drejtor i qendrës për teknologjinë dhe politikën e sigurimit kombëtar, parashtroi 3 alternativa: ndarja e Kosovës, eliminimi i strukturave paralele dhe integrimi etnik. Megjithëse ndarja e Kosovës është një alternativë jo-realiste, për arsye të qëndrimit të grupit të kontaktit, ajo përbën shpresat e popullatës sërbe të Kosovës. Zoti Binendijk mendon se pa eliminimin e strukturave paralele, sërbët e Kosovës do të vazhdojnë të shikojnë nga Beogradi, e jo Prishtina, për ndihmë, duke krijuar kështu një shtet de fakto të ndarë.

“Nga këto 3 alternativa që kemi studjuar, integrimi etnik është e vetmja zgjidhje e pranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Kjo alternativë është edhe më e vështirë për t’u zbatuar sepse do të kërkojë vëmëndje dhe burime afat-gjatë të komunitetit ndërkombëtar."

Gerald Knaus, drejtor i Nismës së Stabilitetit Evropian, tha se alternativa më e mirë është që Mitrovica të bëhet komunë.

“Kosova është një zonë shumë e paqëndrueshme si në aspektin ekonomik dhe shoqëror. Nëse flasim për decentralizimin, ajo që ka rëndësi për serbët është Mitrovica veriore. Ajo është e vetmja zonë e tyre urbane në të gjithë Kosovën, aty ata kanë institucione, kanë universitetin dhe spitalin. Shqiptarët e Kosovës duhet të pranojnë se krijimi i një komune me shumicë serbe në Mitrovicë, është rruga më e mirë për të shmangur dhunën dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe shumë-etnike në Kosovë.”

Tensionet etnike në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta. Ndërsa analistët shprehin mendime të ndryshme për sa i përket mënyrës më të mirë drejt zgjidhjes së statusit, bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës nuk kanë arritur të ngushtojnë mosmarrëveshjes mes dy palëve. //ze//

XS
SM
MD
LG