Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë merr vendim kundër administratës mbi gjykatat speciale për të burgosurit e Guantanamos


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori vendim kundër administratës së Presidentit Bush në një çështje gjyqësore lidhur me gjykatat speciale për të burgosurit në Kampin Guantanamo.

Në vendimin e sotëm Gjykata theksoi se Presidenti Bush i kishte kapërcyer kompetencat e tij duke ngritur gjykata të posaçme për krime lufte për të gjykuar personat e dyshuar për terrorizëm.

Procesi gjyqësor që tërhoqi vëmendje të madhe, përqendrohej mbi Salim Ahmed Hamdanin, ish roje personale dhe shofer i Osama bin Ladenit. Gjykata mori vendimin se çështja e Hamdanit duhet gjykuar në bazë të ligjit amerikan dhe Konventës së Gjenevës. Kjo nënkupton se ai do të gjykohet ose nga sistemi i rregullt i drejtësisë ushtarake ose në një gjykatë civile, por jo nga gjykatat e posaçme. Avokati i të pandehurit – një oficer i ushtrisë amerikane, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një kthim në parimet themelore të Amerikës.

Presidenti Bush tha se do të shqyrtojë me vëmendje vendimin, por shtoi se mendon që ka mënyra bashkëpunimi me Kongresin amerikan për t’i bërë të efektshme gjykatat ushtarake.

Ky është vendimi i dytë i rëndësishëm kundër administratës së Presidentit Bush lidhur me kampin e Guantanamos. Dy vjet më parë, gjykata hodhi poshtë kërkesën e Presidentit për autoritet që të jepte urdhër për mbajtjen e të ndaluarve nën arrest për një periudhë të pacaktuar, pa u njohur atyre të drejtën për të kontaktuar gjykatat apo avokatët mbrojtës.//lk

XS
SM
MD
LG