Lidhje

Ministrat e Jashtëm të Tetëshes presin nga Irani një përgjigje “të qartë dhe serioze''


Ministrat e Jashtëm të Grupit të Tetëshes thonë se presin nga Irani një përgjigje “të qartë dhe serioze” javën e ardhshme lidhur me vendimin për të marrë ose jo pjesë në bisedimet për ambicjet e tij bërthamore.

Në takimin e sotëm në Moskë, të dërguarit e Tetëshes i bënë gjithashtu thirrje Izraelit dhe palestinezëve të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qetësuar dhunën që vazhdon në Rripin e Gazës.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs u bëri thirrje ekstremistëve palestinezë të ndalin sulmet ndaj objektivave izraelite, ndërkohë që i bëri thirrje Izraelit të tregohet i përmbajtur në operacionet ushtarake që ka ndërmarrë.

Diplomatët shprehën njëzëri zhgënjim lidhur me mungesën e një përgjigjeje zyrtare nga Teherani ndaj propozimeve perëndimore për bisedime mbi ambicjet e tij bërthamore.

Grupi i diplomatëve tha se pret një përgjigje zyrtare nga Irani në takimin e parashikuar për datën 5 korrik ndërmjet shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe kryenegociatorit iranian për çështjet bërthamore, Ali Larijani. Pak më pas në New York, Ministri i Jashtëm i Iranit Manousher Motaki tha se Irani nuk do të japë një përgjigje zyrtare para muajit gusht.//lk

XS
SM
MD
LG