Lidhje

Një komision ekspertësh propozon një vaksinë që mbron vajzat e reja nga kanceri


Një komision ekspertësh të shëndetësisë të qeverisë amerikane rekomanduan dje që një vaksinë e re t’u jepet vazhdimisht vajzave të reja për t’i mbrojtur ato nga kanceri në mitër gjatë jetës së tyre. Kjo seri prej tre vaksinash parandalon infektimin nga një virus që transmetohet zakonisht përmes marrëdhënieve seksuale.

Komisioni Këshillimor i qeverisë për Praktikat e Vaksinimit dhe Sëmundjeve të Frymëmarrjes votoi njëzëri për të rekomanduar që vajzat 11 dhe 12 vjeçare të vaksinohen me Gardasil, e cila i mbron ato nga virusi papilloma i njerëzve, infeksioni më i përhapur përmes marrëdhënieve seksuale në Shtetet e Bashkuara. Vaksina thuhet se është e para që është krijuar posaçërisht për parandalimin e kancerit.

Doktoresha Ann Shuhat, drejtoreshë në Qendrën Kombëtare për Imunizimet dhe Sëmundjet e Frymëmarrjes në Qendrën për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta, tha se vaksina është shumë e efektshme ndaj kancerit në mitër, i cili është shkaku i dytë që shkakton vdekjet më të mëdha të kancerit në botë.

“Kjo është vaksinë për parandalimin e kancerit. Me sa duket kjo parandalon edhe infeksionet më të transmetueshme seksualisht në vend. Dhe kjo është një mundësi shumë e mirë që ne të përparojmë në fushën e parandalimit.”

Doktoresha Shuhat tha se Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë që u rekomandojnë vajzave të reja të marrin vaksinën. Ajo tha se komisioni këshillimori mori parasysh shumë faktorë para se të merrte vendimin.

“Ata kanë konsideruar faktorë si efektshmërinë, sigurinë dhe koston, dhe në të tre këto pika kjo vaksinë duket shumë e mirë.”

Ndërkohë që rekomandohet për vajzat 11 dhe 12 vjeçare, doktoresha Shuhat tha se vaksina mund t’u ofrohej edhe vajzave që nga mosha 9 vjeç, dhe grave mes moshës 13 dhe 26 vjeç. Ajo paralajmëroi se këto vaksina nuk duhet të zëvendësojnë metodat e tjera të parandalimit si kontrollet gjinekologjike rutinë për kancer në mitër.

Ndërsa rekomandimet e komisionit nuk janë zyrtare derisa të merret miratimi përfundimtar nga Departamenti amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Sociale, vendimi i të cilit pritet brenda disa muajve.

XS
SM
MD
LG