Lidhje

Ali Ahmeti: Shqiptarët janë per nje proces te lire dhe demokratik zgjedhor


Ali Ahmeti, kryetar i partise Bashkimi Demokratik per Integrim ne Maqedoni shpreh mirenjohje per angazhimet e komunitetit nderkombetar ne qetesimin e fushates parazgjedhore; nderkohe qe thekson vetedijen e shqiptareve per nje proces te lire dhe demokratik te zgjedhjeve më pese korrik. Ne nje interiviste per Zerin e Amerikes, zoti Ahmeti thote se arritjet qe jane bere brenda kater viteve te fundit ne avancimin e të drejtave te shqiptareve jane te medha. Ai sugjeron qe koalicioni i ri qeveritar te formohet, sic shote ai, me fitimtaret.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, këto ditë kanë pushuar incidentet në fushatë parazgjedhore, që është padyshim meritë e angazhimeve të ambasadorëve perëndimorë. Tek opinioni publik sikur lihet përshtypja se drejtuesit politik shqiptarë nuk kanë kontroll të plotë tek aktivistët e partive të tyre; sa është kjo e saktë në rastin tuaj?


Ali Ahmeti: Unë gjithmonë kam falënderuar komunitetin ndërkombëtar. Në këtë rast nismën e SHBA-së, të Ambasadës dhe të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për të dhënë mesazhet e tyre për shqiptarët, përmes përfaqësuesve politik sepse këtë fushata nuk duhet të ketë incidente, manifestim dhune apo çfarëdo lloj akti të pahijshëm. Mirëpo, unë mendoj që është meritë e shqiptarëve që vazhdimisht kërkojnë qetësi. Ne si parti në koalicion, BDI me PPD që në fillim jemi distancuar nga çdo lloj dhune sepse nuk kemi nevojë për aktë të tilla të pahijshme sepse kjo na kompromiton dhe fundi i fundit ne jemi shumë optimist. Jo vetëm ne por nga të gjitha anketimet që janë zhvilluar, ne jemi fitimtarë të dukshëm dhe nuk ka nevojë që ne të jemi motivues të këtyre akteve. Unë mendoj që aktet e tilla nuk na nderojnë neve sepse jemi përpara proceseve të rëndësishme. Maqedonia në fund të këtij viti fillon bisedimet për anëtarësim në BE, fillon bisedimet për anëtarësim në Nato, por këto procese të rëndësishme lidhen edhe me pavarësinë e Kosovës dhe ne shqiptarët nuk duhet të jemi një shembull i keq për rajonin por përkundrzai nga ana jonë duhet të reflektojë seriozitet. Ne jemi të gatshëm të denoncojmë nëse ndonjë anëtar ose simpatizues yni është i padëgjueshëm. Shpresoj që populli shqiptar më pesë korrik të dalë dhe të shpreh verdiktin e tij.

Zëri i Amerikës: Sa i dëmton fushata e dhunshme në Maqedoni proceset shqiptare në rajon?

Ali Ahmeti: Vetë problemet që mund të ndodhin gjatë këtij procesi zgjedhor mund të reflektojnë negativisht në drejtim të avancimit të bisedimeve për dhënien fund të një statusi të Kosovës; status i cili pritet me vullnet shmë të madh nga shqiptarët e
Kosovës sepse ky status nuk mund të jetë gjë tjetër përveç pavarësisë dhe unë dëshiroj që shqiptarët e Maqedonisë të mos jenë ndër ato pengesa për ambicie të ndryshme për të ardhur në pushtet.

Zëri i Amerikës: Në bazë të anketave publike BDI vazhdon të ketë një epërsi ndaj Partisë rivale Demokratike Shqiptare, por kjo mbështetje duket sikur është në rënie. A ju shqetëson kjo?

Ali Ahmeti: Unë nuk di që ka një rënie të BDI-së. Brenda katër vitesh ne kemi pasur një situatë konstante. Nga të gjitha anketimet që janë bërë nga institute me relevancë si IRI, Brima Gallup dhe tash së fundi kam parë nga disa institute vendëse këtu dhe diku 2:1 është raporti në të mirë të BDI-së.

Zëri i Amerikës: Nga Marrëveshja e Ohrit ka mbetur pa miratuar ligji për përdorimin e gjuhëve si një ndër elementët kyç të marrëveshjes. Si po bëhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje në praktikë?

Ali Ahmeti: Unë mendoj që shumëçka është materializuar, por ka një mjegullnajë të dukshme për sa i përket gjuhës shqipe. Ne kemi bërë një punë të mirë në këtë drejtim. Kemi angazhuar Komisionin për çështje kushtetuese të Venedikut; ekspertë me
shumë përvojë nga Zvicra, Belgjika e shumë vende tjera. Eskpertiza e tyre rezulton që gjuha shqipe është gjuhë zyrtare mirëpo duhet të bëhet një ligj i përgjithshëm dhe sigurisht që ky ligj duhet të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare që gjuha shqipe të ketë përdorim të pakufizuar në nivel të shtetit. Ne përpiqemi që të shmangim ato paqartësi që kanë zënë vend brenda kornizës.


Zëri i Amerikës: Si do të veproni për përmirësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni nëse fiton edhe një mandat katërvjeçar?

Ali Ahmeti: Ne parashohim diku rreth 4 miliardë Euro investime brenda këtyre katër viteve të ardhshëm në shumë fusha si industria, bujqësia, etj. unë jam shumë i sigurt që ato që kemi premtuar ato do të materializohen.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni skenën politike pas pesë korrikut nëse partneri juaj aktual LSD humbet zgjedhjet, ashtu siç parashikojnë sondazhet, dhe VMRO-DPMNE nuk ju fton në qeverinë e re?

Ali Ahmeti: Për të qenë i qartë, duke filluar nga unë dhe të gjithë pjesëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim ne nuk u përcaktuam për pushtet por përcaktimi ynë kryesor ka qenë që të gjithë shqiptarët t’i pasurojmë dhe t’i veshim me shtet.
Ky ka qenë synimi ynë dhe mendoj se në këtë drejtim kemi bërë një punë mjaft të mirë. Shqiptarët sot në Maqedoni e ndiejnë veten të sigurt, ka mbi 1800 policë dhe ky trend po vazhdon më tej; ka mbi 1100 oficerë dhe të mos flasim për ushtarë profesionistë. Shqiptarët kanë universitetin e tyre, kanë simbolet kombëtare dhe nderojnë historinë e tyre që nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu e deri te Ushtria Clirimtare Kombëtare. Kështu që ne nuk jemi shumë të brengosur për koalicionit e ardhshme; ne do të dalim fitimtarë në këto zgjedhje dhe parimisht mendoj që koalicionet e ardhshme për të
pasur paqe dhe qëndrueshmëri për proceset që janë në rrugë e sipër, duhet të bëhen midis fitimtarëve që do të dalim më gjashtë korrik.

XS
SM
MD
LG