Lidhje

Tirana merr 14,6 milionë euro kredi për ndërtimin e unazës dhe një mbikalimi në hyrje të autostradës


Banka Europiane per Rindertim dhe Zhvillim i dha nje kredi 14,6 milione Euro autoriteteve shqiptare per ndertimin e disa rrugeve dhe nje mbikalim ne hyrje te kryeqytetit - Tirane. Marreveshja e huase qe u nenshkrua nga qeveria dhe nga bashkia e kryeqytetit, parashikon fillimin në muajin shtator të punës për rindertimin e Unazes Rrugore te Tiranes si dhe te nje mbikalimi te ri ne autostraden prane ktheses se Kamzes. Por zyrtarët dhe analistet e ekonomise pranojne nderkaq se niveli i investimeve publike eshte ende i ulet, dhe se per shkak te mungeses se projekteve, Shqiperia ka nje aftesi te ulet thithese per investimet e huaja.

Qeveria shqiptare dhe bashkia e Tiranës nënshkruan të premten një marrëveshje me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) për marrjen e një kredie prej 14,6 milionë Euro për ndërtim dhe rindërtim rrugësh në kryeqytet. Nga kjo hua do të financohet ndërtimi i një mbikalimi në autostradë pranë Kamzës, si edhe përmirësimi i afro 3,5 kilometra rrugë në unazën e Tiranës. Zëvendës-drejtori i BERZH-it, Henri Russell, tha se "projekti do të mbështesë reformën bashkiake dhe përgatitjen e pushtetit vendor me ndryshimet ligjore për më shumë kompetenca në punen e vet për t'i shërbyer sa më mirë qytetarëve".

Ndërsa ministri i financave, Ridvan Bode, tha se kjo kredi është një nxitje e rëndësishme për shtimin e investimeve vendase dhe të huaja.

"Ne këtë vit jemi jo në nivelet e duhura me disbursimin e fondeve të investimeve, dhe një pjesë e këtyre vonesave vjen pikërisht nga njësitë e menaxhimit të projekteve. Por mendojmë që ndryshimi i skemës së menaxhimit dhe pranimi i donatorëve për ta ndryshuar këtë skemë, na krijon kushte dhe mundësi për të realizuar në kohë investimet dhe për të rritur përgjegjshmërinë e investitorëve shqiptarë" - tha zoti Bode.

Vëzhguesit e ekonomisë shqiptare vërejnë ndërkaq një mosrealizim të ndjeshëm të investimeve të planifikuara në gjashtëmujorin e parë të vitit. Analisti i ekonomisë dhe pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Bardhi Sejdarasi, thotë se në këtë gjysmë të parë të vitit investimet bashkiake janë realizuar në nivel afro 3 herë më të lartë se ato qeveritare; përkatësisht 50 për qind bashkitë dhe 18 për qind buxheti i shtetit.

"Në Shqipëri ende nuk ka kapacitete të mjatueshme për të absorbuar të gjitha fondet që vijnë nga donatorët e huaj, dhe pengesa kryesore janë projektet. Ka një mungesë të theksuar projektesh, ka një mungesë të theksuar studimesh fizibiliteti, dhe për shkak të këtyre mungesave, ndonëse neve na planifikojnë mjaft investime në vite që nga 1990 e deri sot, asnjëherë nuk kemi mundur që të disbursojmë të gjitha burimet financiare të donatorëve, qofshin këto kredi apo grante" - tha zoti Sejdarasi.

Qeveria është në prag të rishikimit të buxhetit të shtetit për gjysmën e dytë të vitit, sipas marrëveshjes me FMN, pas studimit të rezultateve në 6 muajt e parë. Ndonëse pasqyra e investimeve të deritanishme nuk është optimiste, zyrtarët kanë premtuar rritjen e investimeve në gjysmën e mbetur të 2006.

XS
SM
MD
LG