Lidhje

Shqipëri: ERT urdhëron firmat AMC dhe Vodafone për tarifa celulare sa mesatarja europiane


Enti Rregullator i Tele-komunikacioneve (ERT) bëri të ditur sot se tarifat e reja të telefonisë celulare për vitin 2006 janë sa mesatarja e tarifave europiane. ERT u detyrua të nxjerrë një urdhër mbi tarifat e reja të interkonjeksionit për kompanitë e telefonave celularë Vodafone dhe AMC, pas dështimit të negociatave të tyre me kompaninë shtetërore të telefonisë fikse, Albtelekom.

Në përpjekjet për të ulur tarifat e celularëve u përfshi disa javë më parë edhe Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC), bashkimi më i madh i organizatave jo-qeveritare. ACAC dhe disa media vendore pohuan se kishin gjetur disa shkelje në veprimtarinë e 2 kompanive celulare, të cilat zbatonin në Shqipëri cmimet më të larta në Europë. ERT publikoi sot urdhrin për uljen e disa tarifave të telefonisë celulare, pas dështimit të negociatave mes Albtelekom dhe Vodafone e AMC.

Drejtori ekzekutiv i ERT, Hydajet Kopani, thotë se me këtë urdhër që del për herë të parë synohet barazia midis operatorëve në treg si dhe ulja e tarifave për përdoruesit e shërbimeve telefonike.

"Tarifat për shërbimet e telefonisë së lëvizshme të Shqipërisë janë më të larta krahasuar me tarifat e njëjta të vendeve të tjera. Ndërsa niveli i përdorimit të telefonisë së lëvizshme, si ata me kontratë ashtu edhe ata me parapagim, është më i ulët se në vendet e tjera".

Zyrtarët e ERT-se pohuan se në periudha të mëparshme të dy kompanitë e telefonisë celulare kanë arritur me Albtelekomin marrëveshje anormale si ato në vitin 2000; në mesin e vitit 2004 ERT ndërhyri për t'i anulluar dhe korigjuar marrëveshjet e konjeksionit, ndërsa tani dështuan negociatat me Albtelekomin për marrëveshje të re, derisa u arrit tek ky urdhër që parashiko n tarifa sa mesatarja europiane.

"Marrëveshjet e mëparshme të interkonjeksionit, vecanërisht ato të vitit 2000, janë përkufizuar si marrëveshje jonormale në tregun e telekomunikacionit. Ne mendojmë se në ecurinë e mëtejshme, me urdhrin përkatës krijohen kushtet për një barazi mes operatorëve në respekt të lojës së tregut".

Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC) ka vërejtur një seri shkeljesh ligjore në marrëdhëniet midis dy kompanive të telefonisë celulare AMC e Vodafone dhe shtetit shqiptar e Albtelekom. Koalicioni ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit dhe të ERT për të shmangur shkeljet e mëparshme në marrëveshjet e interkonjeksionit, si dhe fillimin sa më parë nga puna të kompanisë së tretë të telefonisë celulare Eaglemobile, një licensë kjo që e zotëron Albtelekom, për të bërë të mundur uljen e cmimeve të celularëve në Shqipëri, të cilët vlerëoshen si ndër më të lartët në rajon dhe në Europë.//ii

XS
SM
MD
LG