Lidhje

Presidenti Bush bisedon me udhëheqës botërorë për raketat e Koresë së Veriut


Presidenti Bush foli në telefon me udhëheqës botërorë në përpjekje për krijimin e një qendrimi të përbashkët dhe për të shtuar trysninë ndaj Koresë së Veriut pas provave të djeshme me raketa. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë thotë se zoti Bush e falenderoi presidentin kinez, Hu Xhintao, për kundërshtimin e hapur ndaj këtyre provave. Të dy udhëheqësit diskutuan sa e rëndësishme është të bindet Koreja e Veriut për t’u kthyer në bisedimet gjashtëpalëshe për çarmatim. Por zëdhënësi paralajmëroi se një marrëveshje e fuqive të botës mbi hapat e mëtejshëm mund të mos arrihet tani shpejt.

Zoti Bush dhe kryeministri japonez, Junichiro Koizumi, ranë dakord të kërkojnë për sanksione të Kombet e Bashkuara ndaj Koresë së Veriut. Në New York, ambasadori amerikan pranë OKB-së, John Bolton, thotë se ekziston një mbështetje e madhe në Këshillin e Sigurimit për një deklaratë ku të dënohen provat me raketa. Koreja e Veriut thotë se provat ishin të sukseshme dhe se do të realizojë të tjera. Por departamenti amerikan i shtetit thotë se asnjë nga të 7 raketat e lëshuara nuk përbënte ndonjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Shtetit thotë se një raketë me rreze të gjatë ra pas më pak se një minute pas lëshimit.

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së takohen për çështjen e raketave

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u takuan dje për të shqyrtuar përgjigjen që do të japin ndaj provave me raketa nga Koreja e Veriut. Japonia kërkoi mbajtjen e një sesioni urgjent të Këshillit, pasi Koreja e Veriut lëshoi 7 raketa, përfshirë edhe një raketë me rreze të gjatë veprimi. Zyrtarë të lartë amerikanë e cilësuan hedhjen e raketës si provokim dhe thanë se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar në kundërshtimin e tij ndaj veprimeve të Phenianit:

"Lëshimi nga Koreja e Veriut i raketave ka nxitur zemërim dhe shqetësim ndërkombëtar."

Presidenti Bush bëri komentet e tij të para publike lidhur me provat, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Gjeorgjisë.

"Me lëshimin e raketave, Koreja e Veriut e ka izoluar edhe më tepër veten. Unë jam shumë i shqetësuar për vuajtjet që po përjeton populli koreano-verior dhe shpresoj që qeveria do të bjerë dakord të heqë dorë në mënyrë të verifikueshme nga programi i armëve."- tha Presidenti.

Presidenti Bush vuri në dukje se një raketë me rreze të gjatë veprimi e tipit Taepodong – 2, e cila është projektuar për të arritur deri në brigjet amerikane, ra në detin e Japonisë.

Këshilli i Sigurimit me 15 anëtarë zhvilloi një sesion emergjent me dyer të mbyllura për të diskutuar një projekt-rezolutë. Ambasadori japonez në OKB, Kenzo Oshima, tha se shpreson që Kombet e Bashkuara të reagojnë me shpejtësi, forcë dhe vendosmëri:

"Lëshimi nga Koreja i raketave 8 vjet më parë në vitin 1998 ishte mjaft shqetësues. Por lëshimet e fundit të 7 raketave janë edhe shumë më serioze."- tha zoti Oshima.

Zoti Oshima tha se mund të diskutohen sanksione kundër Koresë së Veriut, por kjo është në dorë të Këshillit. Megjithatë 2 vende anëtare të Këshillit me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia, kanë bërë të ditur se do të kundërshtojnë referencat për sanksione në rezolutë.

Ambasadori amerikan pranë OKB-së, John Bolton theksoi se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër lëshimit të raketave:

"Mendoj se diskutimi fillestar në Këshillin e Sigurimit ishte shumë interesant. Asnjë anëtar nuk u doli në mbrojtje veprimeve të Phenianit. Mendoj se toni i diskutimit tregon se komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi nuk e mbështet lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut."- tha ai.

Ambasadori i Koresë së Veriut në OKB, Pak Gil Yon nuk pranoi të japë komente për shtypin, kur arriti në selinë e OKB-së, duke u fshehur pas çadrës për t’i shpëtuar gazetarëve.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Koreja e Veriut të kthehet në bisedimet 6-palëshe, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Rusia.

"Bisedimet 6-palëshe kanë bërë që kjo çështje të mos jetë thjesht shqetësim i Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Tani kjo çështje është një shqetësim rajonal dhe rajoni po i thotë Phenianit se duhet të ndryshojë sjelljen."- tha zonja Rajs.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e cilësoi lëshimin e raketave si një çështje e sovranitetit kombëtar. Një zyrtar tha se asnjë vend nuk ka të drejtën të gjykojë vendimin e Phenianit për të kryer prova me raketa.//lk

XS
SM
MD
LG