Lidhje

Dallim i madh midis mbipeshës dhe mbipeshës ekstreme;Kafeja pakëson rrezikun ndaj diabetit


Midis mbipeshës e mbipeshës ekstreme ekziston një dallim vdekjeprurës.

Mjekja Madelin Fernstrom është e specializuar për t’u mësuar njerëzve me probleme të mbipeshës sesi të përdorin ushqime të shëndetëshme. Gjatë punës së saj me qindra gra që vijnë për probleme të mbipeshës, ajo thotë se ka vënë re prirje shqetësuese.

“Gjatë viteve të fundit, kam vënë re një shtim jo vetën në numrin e grave që kërkojnë ndihmë kundër mbipeshës por në numrin e atyre që bëhen gjithnjë e më mbi peshë dhe që preken pastaj nga sëmundje të ndryshme.”

Kjo prirje vihet re në mbarë Shtetet e Bashkuara, thuhet në studimin e botuar në revistën e shoqatës së mjekësisë.

Ekspertja Kathlin MakTigue pranë universitetit të Pitsburgut në Pensilvani thotë se mbipesha ekstreme ka qënë një dukuri e njohur, por pasojat e saj nuk ishin të qarta. Vetëm tani kuptohet se grate me mbipeshë ekstreme rrezikohen nga vdekja më shumë se sa ato që janë më pak mbipeshë.

Mjekja MakTigue dhe koleget e saj morrën në shqyrtim të dhënat shëndetësore të mbi 90 mijë grave gjatë një periudhe prej 7 vjetësh. Ato vunë re se sa më shumë mbipeshë një grua aq më në rrezik vdekje ishte ajo. Për shembull, një grua me gjatësi mesatare 170 centimetra me peshë trupore 100 Kilogram është 12 përqind më në rrezik të vdesë sesa një grua me gjatësi të njëjtë po me peshë rreth 65 kilogram. Ndërsa një grua 150 kilogramëshe është 85 përqind më në rrezik të vdesë sesa një grua me peshë normale.

Mjekja MakTigue thotë se studimi tregoi se diabeti, tensioni dhe kolesterina e lartë janë ndër faktorët kryesorë të shtimit të rrezikut të vdekjes mes grave mbipeshë.

Kafeja pakëson rrezikun e prekjes nga diabeti.

Çdo mëngjes, mbi 100 milionë amerikanë ndjejnë nevojën e kafesë. Dikush e pi sepse i shijon, të tjerë thonë se kanë nevojë për të dale nga gjendja e përgjumur apo sepse ua kërkon organizmi. Madje ka nga ata që thonë se pasi kanë pirë kafe e ndjejnë veten të shlodhur e të pertëritur e u kthen humorin.

Të gjitha këto pohime përkojnë me të dhënat e vazhdueshme që vijnë nga qarqe shkencore, të cilat lënë të kuptohet se kafeja jo vetëm përmirëson gjendjen shpirtërore por mund të ndihmojnë edhe në përmirësimin e shëndetit fizik.

Pirja çdo ditë e kafesë, e përgatitur sipas mënyrave e shijeve të ndryshme evropiane e amerikane, ndikon në pakësimin e rrezikut të prekjes nga sëmundja e parkinsonit, kancerit në mëlçi, gurëve në tëmth dhe veçanërisht nga diabeti i tipit 2. Një numër studimesh të ndryshme tani tregojnë se pirja e katër filaxhanëve me kafe në ditë ndihmon në pakësimin 30 përqind të rrezikut të prekjes nga diabeti.

Rezultatet e kërkimeve në laborator lënë të kuptohet se sa më shumë kafe pi njeriu aq më e fortë bëhet mbrojtja e tij nga sëmundjet. Sigurisht kjo nuk do thotë që kafja të pihet në vend të ujit.

Një studim i fundit tregon se edhe kafeja pa kafeinë, (decaf) është njësoj e efektëshme kundër diabetit, po aq sa edhe kafeja e rregullt.

Mjeku Peter Martins pranë shollës mjekësore të universitetit Vanderbild thotë se kafeja përmban disa substanca, që kur u janë dhënë minjëve në laborator, ato kanë vepruar si ilaçe kundër diabetit, pra shtojnë aftësinë e organit të mëlçisë për të djegur sheqernat.

Por shumë mjekë, përfshi doktor David Nathan pranë spitalit të përgjithshëm në Masaçusets, thonë se këto janë rezultate paraprake dhe për këtë arsye njerëzit tani nuk duhet të vërshojnë nëpër kafene me shpresë se pirja e kafesë do t’u ulë atyre rrezikun e prekjes nga diabeti.

XS
SM
MD
LG