Lidhje

Kryeministri indian thotë se shpërthimet nuk do të ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit


Kryeministri i Indisë Manmohan Singh tha se shpërthimet e djeshme në trena nuk do të ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit dhe se indianët do të qëndrojnë të bashkuar përballë sulmeve.

Duke iu drejtuar kombit përmes një fjalimi në televizion zoti Singh u kujtoi indianëve se kjo nuk ishte hera e parë që armiqtë përpiqeshin të minonin paqen dhe begatinë e vendit. Ai tha se këta armiq nuk arrijnë të kuptojnë se indianët mund të qëndrojnë të bashkuar kundër terrorizmit.

Hetuesit në Indi po kërkojnë të identifikojnë personat përgjegjës për një seri shpërthimesh të bashkërenduara, që vranë të paktën 200 vetë dhe plagosën 700 të tjerë. Të paktën shtatë bomba shpërthyen në trena të mbushur me pasagjerë gjatë orëve të ngarkuara të mbrëmjes ditën e martë në Bombei, kryeqyteti i shtetit perendimor Maharashtra.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Shefi i policisë së Maharashtras tha se sulmet me bomba janë të ngjashme me ato të grupit ekstremist kashmiras të njohur si Lashkar-e-Toiba. Por ai tha se nuk mund të thotë përfundimisht se kush është përgjegjës derisa të hartohen raportet e kriminalistikës.

Lashkar-e-Toiba dhe një tjetër grup separatist i Kashmirit pakistanez që njihet si Hizb-ul-Mujahedeen kanë mohuar përfshirjen dhe i kanë dënuar sulmet.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Indisë i kërkoi Pakistanit të ndërmarrë hapa urgjente për shkatërrimin e asaj që ai e quajti infrastrukturë të terrorizmit në territorin nën kontrollin e tij. Pakistani e mohoi akuzën duke thënë se nuk e toleron terrorizmin dhe se është në frontin e pare të luftës kundër këtij kërcënimi.

XS
SM
MD
LG