Lidhje

Roli i lobit izraelit në politikën e jashtme amerikane


Kohët e fundit, dy akademikë të shquar amerikanë botuan kërkimet e tyre rreth marrëdhënieve të ngushta të Shteteve të Bashkuara me Izraelit, duke shkaktuar një debat të ashpër lidhur me rolin që luan Izraeli në politikat amerikane.

John Mearsheimer pranë Universitetit të Çikagos dhe Stephen Walt i Universitetit Harvard thonë se lobi izraelit, siç shprehen ata, ushtron një ndikim shumë të madh tek politika e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme. Në një artikull të dokumentuar më së miri dhe që ngjalli shumë debate lidhur me këtë çështje, i botuar së pari në revistën London Review of Books në fillim të këtij viti, ata argumentojunë se përkrahësit e organizuar mirë të Izraelit u japin formë ligjeve në kongres dhe vendimeve presidenciale që kanë të bëjnë me Izraelin. Profesor Walt thotë se kjo nuk është gjithnjë në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

“Ne që të dy filluam të mendojmë rreth kësaj çështjeje kryesisht pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur arritëm në përfundimin bashkë me shumë amerikanë të tjerë se politika e jashtme amerikane në atë rajon kishte nevojë të rihartohej. Atëhere ne filluam ta përqëndrojmë vemendjen tonë tek forcat politike në Shtetet e Bashkuara që po e bënin të vështirë për Washingtonin që të zbatonte një politikë në interesin tonë kombëtar.”

Profesorët Mearsheimer dhe Walt e cilësojnë lobin izraelit si një koalicion jo fort të organizuar individësh të rëndësishëm e grupesh pro-izraelite dhe jo të gjithë hebrenj. Sipas profesorit Walt, më i rëndësishmi i këtyre grupeve është Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite. Profesori thotë se ky grup bën të gjitha përpjekjet që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë dërgimin e miliarda dollarëve në Izrael çdo vit. Qeveria amerikane i jep Izraelit gati 3 miliardë dollarë ndihma të huaja çdo vit, shuma më e madhe e marrë nga një vend i vetëm si dhe mbështetje diplomatike në marrëdhëniet me palestinezët dhe me vendet e tjera në Lindjen e Mesme.

Por disa organizata hebraike, si për shembull Lidhja Kundër Shpifjeve me seli në New York, thonë se marrëdhënie të tilla i shërbejnë interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ata e vënë theksin tek mbështetja e madhe për Izraelin nga ana e publikut amerikane. Madje ata thonë se argumenti se lobi izraelit ndikon shumë tek politikanët është një përpjekje për të dëmtuar punën e përkrahësve të Izraelit. Abraham Fox është drejtor i përgjithshëm i Lidhjes Kundër Shpifjeve.

“Gjatë 50-60 vjetëve të fundit, populli amerikan e ka mbështetur Izraelin për procesin demokratik dhe vlerat e tij perëndimore. Që të mendosh se kjo mbështetje është krijaur nga një grup hebrenjsh, që mund të kontrollojnë elementë të kongresit, qeverisë dhe medias, është diçka absurde.”

Zoti Fox thotë se Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite funksionon si çdo grup tjetër lobist në Amerikë.

Ndërsa, Morton Klein, president i Organizatës Sioniste të Amerikës, grupi më i vjetër pro-Izraelit në Shtetet e Bashkuara i themeluar në vitin 1897, thotë se përkrahësit e Izraelit nuk janë aq të fuqishëm sa thonë profesorët Mearsheimer dhe Walt.

“Lobi izraelit ka dështuar shumë herë gjatë 10 vjetëve të fundit. Ata dështuan ta transferonin ambasadën amerikane në Jeruzalem; ata dështuan të ndalonin planin amerikan të paqes, i cili mendoj se është i dëmshëm si për Amerikën edhe për Izraelin. Politika amerikane vazhdon të bazohet në atë që është në interesin më të mirë të Amerikës.”

Vëzhguesit thonë se diskutimi i hapur dhe i sinqertë i faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në formimin e politikës së jashtme amerikane është pjesë e demokracisë amerikane. Madje debati lidhur me artikullin e profesorëve John Mearsheimer dhe Stephen Walt nuk ka të ngjarë të marrë fund së shpejti.

XS
SM
MD
LG