Lidhje

Qeveria e Kosovës jep grante për mediat e pakicave


Qeveria e kryeministrit Agim Çeku ka filluar dhënien e granteve për mediat e pakicave në Kosovë, në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e informimit në gjuhët e pakicave.

Tri radio lokale dhe një revistë në gjuhën serbe janë mes mediave që kanë përfituar nga këto grante. Një përfaqësues i Radios Kim në Çagllavicë i tha Zërit të Amerikës se ata dëshirojnë të bashkëpunojnë me qeverinë dhe të kërkojnë fonde të tjera për vitin e ardhshëm. Qeveria e Kosovës u dha këtë javë mediave të pakicave, mediave shumëetnike dhe grupeve të tjera tëpafavorizuara grante të marra nga një fond i buxhetit.

11 përfaqësues të këtyre mediave morën grantet duke shpresuar se kjo ndihmë e qeverisë do të vazhdojë edhe më tej. Kryeministri Agim Çeku shpreson se këto grante do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve të këtyre mediave për bashkësitë e tyre. “Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e mediave minoritare, multietnike dhe grupeve të tjera të pafavorizuara edhe në të ardhmen, përmes fondit të qëndrueshëm i cili do të themelohet nga mjetet që do të ndahen çdo vit nga fondi i transmetuesit publik. Këtë e bëjmë me qëllim që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet e drejta themelore – liria e shprehjes në gjuhën e tyre amtare”.

Tri radio lokale dhe një revistë në gjuhën serbe janë mes mediave që kanë përfituar nga këto grante. Radio Kim nga Çagllavica është një nga këto radio të pakicës serbe. Isak Orbuçiç ka marrë grantin prej 5 mijë eurosh, për këtë radio. Zoti Orbuçiç thotë se kjo është një shumë simbolike me të cilën mund të mbulohen disa shpenzime për një kohë të shkurtër. “Ne jemi radio në gjuhën serbe që transmeton që nga dhjetori i vitit 2000, jemi radio lokale, që mbulon territorin e Prishtinës dhe përreth, Lipjanin, Fushë-Kosovën deri në Ferizaj. Deshëm të tregojmë vullnetin tonë të mirë se dëshirojmë të bashkëpunojmë me qeverinë e Kosovës dhe të paraqesim veten sepse këto fonde vitin e ardhshëm do të jenë shumë më të mëdha dhe planifikojmë të aplikojmë për një projekt shumë më të madh sesa ky i deritashmi”.

Zoti Gorbuçiç thotë se në fillim ka qenë e vështirë të punohej, nuk ka pasur energji elektrike apo telefon dhe në atë kohë ishte e rrezikshme të lëvizje. Ai pohon se tani është dicka ndryshe, por në aspektin e mediave, sipas tij, nuk mund të shohësh ekip radioje apo televizioni serb që të intervistojë njerëz në Prishtinë që ti pyesin çfarë mendojnë për këtë apo atë. Ende nuk ekziston thotë ai, një mirëkuptim i tillë që do të ishte normal për median. “Por punojmë së bashku të gjithë dhe përpiqemi që të vijë koha kur edhe kjo do të jetë e mundur, shpresojmë se kjo do të jetë e mundur në një të ardhme të afërt”.

Përfaqësuesi i Radios Kim, Isak Gorbuçiç thekson se ajo që është më e rëndësishme për të është që njerëzit të punojnë. “Në parim për mua si njeri më shumë më shqetëson fakti se njerëzit nuk mendojnë se sa shumë duhet të punojnë kur të marrin përgjegjësitë në duart e tyre dhe kjo nuk do të thotë përfitim, por detyrim”. Fondi i dhënë këtë herë nga qeveria e Kosovës kap më shumë se 45 mijë euro dhe prej tij kanë përfituar disa nga mediat e njohura në pakicën serbe, kryesisht nëpër enklava si dhe ato në pjesën veriore të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG