Lidhje

Udhëheqësit e Tetëshes bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës


Udhëheqësit botërorë bënë thirrje që t’i jepet fund dhunës ndërmjet atyre që i cilësuan si ekstemistë të Lindjes së Mesme, dhe ushtrisë izraelite. Në ditën e parë të plotë të takimit të Tetëshes në Shën Peterburg të Rusisë delegacionet nga tetë vendet më të industrializuara të botës nxorën deklarata të përbashkëta për konsolidimin e sigurisë së energjisë, luftën kundër sëmundjeve ngjitëse dhe përmirësimin e arsimit. Megjithatë, gjendja në Lindjen e Mesme mbizotëroi në takim.

Udhëheqësit botërorë në takimin e nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes i kërkuan Izraelit sot të tregojë vetëpërmbajtje pas katër ditësh bombardimesh kundër fqinjit të tij Libanit. “Ne kemi diskutime të vazhdueshme me Izraelin. Të gjitha vendet sovrane kanë të drejtën të vetëmbrohen ndaj sulmeve terroriste. Megjithatë ne shpresojmë që të ketë vetëpërmbajtje”, tha presidenti Bush.

Udhëheqësit botërorë e hapën seancën e parë të punës duke shprehur besimin se do të arrijnë në një konsensus për të bërë thirrje për paqe, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme për përgjegjësinë. Presidenti Bush tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë rrënjët e dhunës në Lindjen e Mesme: “Duhet sqaruar shkaku i paqendrueshmërisë në Lindjen e Mesme dhe ky është Hezbollahu dhe marrëdhënia e tij me Sirinë, si edhe marrëdhënia e Hezbollahut me Iranin. Kështu që për të zgjidhur këtë problem është vërtet e rëndësishme që bota të merret me rrënjët e konfliktit”.

Avionët luftarakë izraelitë filluan të godasin Libanin pasi guerriljet kapën dy ushtarë izraelitë të mërkurën në një aksion përtej kufirit në Izrael. Bombardimet vazhduan edhe sot ndërsa Hezbollahu goditi me breshëri raketash edhe më në thellësi të Izraelit, duke vrarë 9 persona në qytetin e Haifas.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert paralajmëroi për pasoja të rënda. Megjithatë presidenti francez Jacques Chirac shtroi pyetjen nëse reagimi izraelit ndaj rrëmbimit të ushtarëve ishte i tepruar. Megjithatë kur filluan sot takimin dy udhëheqësit u përpoqën të shfaqin një qëndrim të përbashkët. Presidenti Bush e falenderoi zotin Chirac për rolin kryesor të Francës për miratimin e rezolutës 1559 të Këshillit të Sigurimit vitin e kaluar që kërkonte që Siria të tërhiqej nga Libani dhe që milicitë atje të çarmatoseshin, një referencë për Hezbollahun. Hezbollahu nuk ka pranuar të çarmatosej siç kërkohej në rezolutë duke thënë se ishte një lëvizje për rezistencë.

Presidenti Chirac tha se kishte rënë dakord me Presidentin Bush për nevojën për një zgjidhje, duke e quajtur thelbësore. “Të gjitha forcat që rrezikojnë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe sovranitetin e Libanit duhet të ndalohen”, tha ai. Presidenti francez tha se do të bënte thirrje për moderim nga të gjitha palët dhe për një armëpushim të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme. //rd//

XS
SM
MD
LG