Lidhje

Udhëheqësit e Tetëshes nxjerrin deklaratë për energjinë


Udhëheqësit e Grupit të Tetëshes u angazhuan të nxisin transparencën, konkurencën dhe investimet në tregjet e energjisë.

Në një deklaratë udhëheqësit theksuan rëndësinë e një përgjigje të drejtë dhe konkurruese për problemet e energjisë. Ata nxorrën deklaratën sot në Shën Petersburg pas bisedimeve zyrare të takimit të nivelit të lartë të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë. Deklarata mbështetet në parimet e Kartës së Energjisë, një grup rregullash të Bashkimit Evropian që rregullojnë tregjet e energjisë, një dokument që Rusia ka kundërshtuar ta ratifikojë pasi do të çojë në hapjen e tregut të saj të energjisë për firmat e huaja.

Në deklaratë thuhet se disa anëtarë të grupit të tetëshesh besojnë se zhvillimi i energjisë së sigurtë bërthamore mund të ndihmojë në përmbushjen e kërkesave globale në rritje për energji dhe në mbrojtjen e ambjentit. Kjo ndodh megjithë planet e Gjermanisë për të hequr gradualisht energjinë bërthamore deri në fillim të viteve 2020.

Udhëheqësit gjithashtu miratuan dokumente për bashkëpunim në programet e edukimit dhe përmirësimin e vëzhgimit të sëmundjeve infektive. Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë dominuar takimin e nivelit të lartë.

PROTESTAT

Veprimtarë kundër globalizimit në Shën Peterburg thonë se policia ruse ka ndaluar një grup protestuesish, të cilët bllokuan për pak kohë një rrugë të rëndësishme të qytetit, ku zhvillohet takimi i Tetëshes. Policia ka arrestuar 37 protestues, të cilët u mblodhën sot para një hoteli në qendër të qytetit dhe hidhnin parulla kundër grupit të Tetëshes, me flamuj në duar dhe bllokuan për pak kohë trafikun. Ndër protestuesit e ndaluar ka shtetas bjellorusë, britanikë, gjermanë, ukrainas dhe vende të tjera evropiane. Në një pikë tjetër të qytetit, autoritetet ndaluan afro 10 protestues, të cilët thërrisnin që t’i jepej fund asaj që e cilësonin si “fashizëm.” Autoritetet ruse kanë vendosur masa të rrepta sigurie për takimin 3-ditësh që përfundon nesër.

XS
SM
MD
LG